Me Husejnin (a.s.) (7) (Rrugëtimi shpirtëror i Imam Husejnit (a.s.) në Qerbela)
(last modified Wed, 18 Aug 2021 18:44:25 GMT )
Gusht 18, 2021 20:44 Europe/Tirane
  • Me Husejnin (a.s.) (7) (Rrugëtimi shpirtëror i Imam Husejnit (a.s.) në Qerbela)

Ndodhemi në ditën e shtatë të muajit Muharremul-Haram. Edhe një herë shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imam Husejnit (a.s.) dhe shokëve të tij besnikë për të gjithë ju adhuruesit e Zotit të madhëruar dhe të dashuruarit e rrugës së Imam Husejnit (a.s.). Në këtë edicion do të flasim në lidhje me rrugëtimin shpirtëror (sejrusuluk) e Imam Husejnit (a.s.) në Qerbela.

Miq të nderuar, përshëndetja e Zotit qoftë mbi ju!

Jemi pranë jush me edicionin e radhës në ditën e shtatë të muajit Muharrem. Edhe një herë shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imam Husejnit (a.s.) dhe shokëve të tij besnikë për të gjithë ju adhuruesit e Zotit të madhëruar dhe të dashuruarit e rrugës së Imam Husejnit (a.s.). Në këtë edicion do të flasim në lidhje me rrugëtimin shpirtëror (sejrusuluk) e Imam Husejnit (a.s.) në Qerbela.

Imam Husejni (a.s.) është simboli i të gjitha atributeve dhe virtyteve të pëlqyera dhe nga aspekti i moralit dhe sjelljes është shëmbëlltyrë dhe personifikim i plotë i Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Rruga e etikës dhe sjelljes morale të Imam Husejnit (a.s.) tregon shpirtin e ngritur të tij dhe edukimin e tij në prehrin e Profetit të nderur të Islamit s.a.v.s.. Karakteristikat e dalluara të Imam Husejnit (a.s.) dhe rrugëtimi shpirtëror (sejrusuluk) i tij është manifestuar edhe në skena të ndryshme të kryengritje së Ashurasë dhe vetë historia është dëshmi e besueshme që vërteton këtë pretendim.  

Prej karakteristikave të Imam Husejnit (a.s.) është dashuria për dua dhe adhurimin e Zotit. Adhurimi i Zotit ka efekte të veçanta edukative dhe bëhet shkak për përkryerjen shpirtërore dhe morale të njeriut. Adhurimi dhe gnosticizmi e lidh shpirtin e robërve me fuqinë e pafund hyjnore dhe përkryerjen absolute. Zoti i madhëruar në ajetin 17 dhe 18 të sures Dharijat në Kur’anin e shenjtë, në lidhje me besimtarët e devotshëm dhe robërit e tij të lavdëruar, thotë:

کَانُوا قَلِیلًا مِنَ اللَّیْلِ مَا یَهْجَعُونَ ، وَبِالْأَسْحَارِ هُمْ یَسْتَغْفِرُونَ

“Ata gjatë natës flenë vetëm për një kohë të shkurt dhe kur të fillon agimi ata zgjohen dhe kërkojnë falje duke u penduar”.

Duaja e Arafatit e Imam Husejnit (a.s.) është një shembull tjetër që tregon gnosticizmin e tij, aty ku ai drejtohet pranë Fronit Hyjnor dhe thotë: “O Zot! Çfarë ka gjetur ai i cili të ka humbur Ty? Dhe ai që të ka gjetur Ty, çfarë ka humbur tjetër? Jam i sigurt se ai person i cili kënaqet me diç tjetër, përveç teje, është i humbur dhe e ka dëmtuar veten dhe ai i cili largohet nga Ti, është i humbur tërësisht!”.

Pasditën e ditës së nëntë “Tasua”, Omar bin Sa’d dha urdhrin për të sulmuar. Hazreti Abas (a.s.) nga ana e Imam Husejnit (a.s.) kishte marrë mision për të marrë afat për natën e Ashurasë nga armiqtë tiranë e zullumqar dhe lufta të shtyhet për ditën e nesërme. Hzreti Imam Husejn (a.s.) në lidhje me arsyen dhe motivin e tij për të shtyrë luftën për një natë më pas, i tha vëllait të tij Hazretit Abas (a.s.): “Vëllai im Abas! U bëfsha kurbani yt! Hipi kalit dhe shko te ata dhe nëse do të mundesh, shtyje luftën për ditën e nesërme në mëngjes dhe sonte largoji ata nga ne. Ndoshta ne sonte mund të lutemi pranë Fronit Hyjnor duke namaz, dua dhe duke kërkuar falje e pendim. Ai e di mirë se unë vazhdimisht e kam dashur shumë kryerjen e namazit për Zotin, këndimin e Kur’anit të shenjtë dhe këndimin e lutjeve e duave dhe kërkimin e faljes pranë Fronit Hyjnor”. Imam Husejni (a.s.) kishte dashuri aq të madhe ndaj namazit, përmendjes së Zotit dhe këndimin e duave dhe lutjeve sa që edhe në ato rrethana kritike kërkoi të marrë afat nga armiku i tij për t’u përkushtuar edhe për një natë në adhurimin e Zotit dhe në këndimin e lutjeve dhe duave pranë Fronit Hyjnor dhe kjo është në kohën kur ai me vullnet dhe vendosmëri të plotë qëndronte dhe rezistonte përball kërkesave të paligjshme të armikut.

Morali i rezistencës dhe luftës kundër padrejtësisë është i dukshëm në masë të madhe në sjelljen dhe diskursin e Imam Husejnit (a.s.) dhe ky moral i tij ka ekzistuar deri në çastet e fundit të jetës së tij deri në atë nivel sa që Imam Husejni (a.s.) në mëngjesin e ditës së Ashurasë, pas kryerjes së namazit të mëngjesit, mbajti një fjalim për shokët e tij besnik dhe në një pjesë të atij fjalimi i u përkushtua në forcimin e moralit të ushtrisë së tij. Imam Husejni (a.s.) në këtë fjalim, edhe një herë prezantoi dhe shpjegoi qëllimet e larta të tij ndërsa edhe njëherë deklaroi vullnetin e palëkundur të tij për vazhdimin e luftës para shokëve të tij besnikë dhe i porositi ata që të tregojnë durim dhe të bëjnë rezistencë dhe qëndresë përball sulmeve të armikut. Imam Husejni (a.s.) tha: “Shokët e mi besnikë! Zoti i madhëruar ka dhënë pëlqimin për martirizimin tuaj dhe martirizimin tim në këtë ditë, prandaj tregoni rezistencë e qëndresë dhe luftoni deri në çastin e fundit të jetës tuaj!”.  

Një transmetim i njohur është transmetuar nga Imam Xhafer Sadik (a.s.) i cili tregon udhëzimin e dhe vetëdijesimin e Imam Husenit (a.s.) për njerëzit. Imam Xhafer Sadik (a.s.) në këtë transmetim thotë: “Lexojeni suren Faxhr në namazet tuaja obligative dhe të preferuara, për arsye se kjo sure e Kur’anit të shenjtë është e Husejn bin Ali (a.s.) dhe çdo kush që e lexon atë, në ditën e Kiametit do të ringjallet me Husejn bin Aliun (a.s.) dhe do të jetë në shkallën e njëjtë me atë në parajsë”.

Një çështje me rëndësi në këtë transmetim është kjo që nga mesi i sureve të Kur’anit të shenjtë, surja Faxhr i është kushtuar Imam Husejnit (a.s.). Pushteti i dinastisë Emevite dëshironte që të lihen në harresë vlerat hyjnore të cilat ishin themeluar me shumë mund të punë të madhe nga ana e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., mirëpo duke marrë parasysh faktin se “Faxhr” është me kuptimin e agimit dhe zbardhjes së ditës, Imam Husejni (a.s.) në kohën e padrejtësisë dhe errësirës të pushtetarëve tiranë, me sakrificë dhe duke flijuar jetën e vet dhe të familjes së tij, ka shkëlqyer si agimi i ditës dhe duke prezantuar një imazh të qartë të baza dhe dispozitave të fesë Islame, ka ndriçuar rrugën kryesore të njerëzimit deri në ditën e Kiametit.

Asketizmi dhe largimi nga bota materiale është një karakteristikë tjetër e rrugëtimit shpirtëror të Imam Husejnit (a.s.) në kryengritjen e Qerbelasë. Imam Husejni (a.s.) në fjalimin e tij të fundit në mëngjesin e ditës së Ashurasë, me disa fjali të cilat buronin nga thellësia e shpirtit të tij me plotë besim, iu drejtuar shokëve të tij besnikë me këto fjalë: “O njerëz me origjinë fisnike! Keni durim dhe qëndresë dhe dijeni se vdekja nuk është gjë tjetër përveçse një ure e cila do t’u kalojë juve nga vuajtja dhe vështirësia dhe do t’iu çojë juve në parajsën e gjerë dhe të përhershme. Kush është ai cili nuk dëshiron që të transferohet nga një burg në një pallat? Ndërkohë që po kjo vdekje për armiqtë tuaj është sikur që ata të transferohen nga një pallat në një burg dhe në një vend të torturave. Babai im ka transmetuar nga Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. i cili ka thënë: bota është burgu i besimtarit dhe parajsa e jobesimtarit kurse vdekja është një urë e cila i çon njerëzit besimtarë në parajsë dhe jobesimtarët në ferr”.

Dinjiteti i besimtarëve myslimanë është në pranimin e një sistemi sundues të dëshiruar dhe ligjshëm sipas dispozitave të Sheriatit Islam të cilin e ka projektuar vetë Profeti i nderuar i Islamit, Hazreti Muhamed s.a.v.s. dhe ai ka qenë sistemi i Imametit. Prandaj, pushteti dhe sundimi i njerëzve të tillë si Jezid bin Muavije ka qenë në kundërshtim të plotë me sistemin e dëshiruar hyjnor dhe fetar dhe ishte me kuptimin e poshtërimit të besimtarëve. Imam Husejn (a.s.) i cili vetë ishte përfaqësuesi i sistemit të Imametit, kërkonte rrugën e dinjitetit të Islamit dhe të myslimanëve. Ai e konsideronte poshtërim sundimin dhe pushtetin e Jezidit dhe u ngrit në këmbë kundër atij sistemi. Është më se e natyrshme që qëllimi i Imam Husejnit (a.s.) ishte manifestimi i fuqisë dhe vullnetit të Zotit të madhëruar në shoqëri dhe ai nuk bënte asnjë veprim i cili do të bëhej shkak për dobësimin e fesë hyjnore Islame. Prandaj, pikërisht për këtë arsye, e vetmja rrugë që mbeti për Imam Husejnin (a.s.) ishte kjo që ose të luftonte ose të pranonte poshtërimin dhe të dorëzohej para Jezidit. Imam Husejni (a.s.) për këtë arsye, martirizimin në rrugën e Zotit të madhëruar e konsideronte më të merituar dhe më të mirë se sa bej’ati dhe besëlidhja me Jezid bin Muavije dhe në mënyrë të qartë deklaron: “Ne jemi larg nga poshtërimi!”. Imam Husejni (a.s.) gjatë të gjithë asaj periudhe të ndjeshme dhe kritike në bazë të nevojave të situatës së përditshme dhe rrethanave të kohës, ka ndjekur rrugën dhe mënyrën më të mirë për ruajtjen dhe mbrojtjen e bazave dhe themeleve të Islamit dhe për të luftuar kundër të pavërtetës dhe kundër krerëve të hipokrizisë dhe fryt i këtyre përpjekjeve të palodhshme dhe me plotë krenari dhe nder, ajo rrugë ishte martirizimi me dashuri që rezultonte me fitimin e kënaqësisë së Zotit të madhëruar. Nga ky aspekt, Imam Husejni (a.s.) konsiderohet shembull i plotë i ajeteve 27 deri 30 të sures Faxhr të Kur’anit të shenjtë ku thuhet: “

یَا أَیَّتُهَا النَّفْسُ الْمُطْمَئِنَّةُ ﴿٢٧﴾ ارْجِعِی إِلَى رَبِّکِ رَاضِیَةً مَرْضِیَّةً ﴿٢٨﴾ فَادْخُلِی فِی عِبَادِی ﴿٢٩﴾ وَادْخُلِی جَنَّتِی ﴿٣٠﴾  

“O shpirti i sigurt! Kthehu drejt Zotit tënd në kohën kur ti je i kënaqur nga ai dhe ai është i kënaqur me ty. Prandaj, hy në parajsë në radhën e robërve të mi!”.

Miq të nderuar, këtu përfundoi koha e këtij edicioni. Në fund po vëmë në dukje një frazë shumë të njohur të duasë së vizitës së Ashurasë që në bazë të saj, lexojmë: “Unë jam në paqe me atë i cili është në paqe me ju dhe jam në luftë me atë i cili është në luftë me ju deri në Kiamet!”. Me të vërtetë, secili individ duke shqiptuar këto fali, në realitet është duke e mësuar këtë mësim se për ruajtjen e vlerave hyjnore, duhet rezistojë dhe qëndrojë deri në frymëmarrjen e fundit dhe deri në pikën e fundit të gjakut të tij në mënyrë që të sigurojë amshueshmërinë dhe lumturinë e përhershme për veten e vet.

 

Tags