Me Husejnin (a.s.) (10) (Ashura, simboli i të vërtetës dhe i të pavërtetës-speciale për Ashuranë)
(last modified Thu, 19 Aug 2021 19:46:30 GMT )
Gusht 19, 2021 21:46 Europe/Tirane
  • Me Husejnin (a.s.) (10) (Ashura, simboli i të vërtetës dhe i të pavërtetës-speciale për Ashuranë)

Sot është dita e Ashurasë. Tani ka kaluar gjysma e ditës dhe rrezet e diellit kanë marrë ngjyrën e gjakut dhe po duken të kuqe.

Sot është dita e dhjetë e muajit Muharrem. Kanë kaluar 1382 vite nga ngjarja e Ashuras që ndodhi në vitin 61 të kalendarit hixhri kameri. Ky është viti i dytë ceremonitë e zimbajtjes së Imam Husejnit (a.s.) nuk organizohen nëpër xhami dhe nëpër teqe për shkak të respektimit të protokolleve shëndetësore. Nga të gjithë qytetarët anë e mbanë Iranit është kërkuar që të mos grumbullohen në turma të mëdha në një vend. Mirëpo... edhe një herë dëgjohet zëri i Mohtesham Kashani:

Përsëri çfarë është kjo lëvizje e vrullshme në mesin e njerëzve të botës?!

Përsëri çfarë është ky vajtim e çfarë është kjo zimbajtje e kjo zi?!

Njerëzit në hapësirë të hapur dhe në vende jo të mbyllura kanë organizuar ceremonitë e zimbajtjes dhe kanë vajtuar për Imam Husejnin (a.s.). Zimbajtësit e Imam Husejnit (a.s.) duke mbajtur maska në fytyrë i mëshojnë daulleve dhe godasin veten me zinxhir sipas traditës së vjetër. Rrugët janë të veshur në të zi dhe vende-vende janë zbukuruar me fjalët dhe thëniet e Imam Husejnit (a.s.). Elegjistët në vende e rrugë të ndryshme kanë hipur mbi karrige ose ndonjë vend më të lartë dhe këndojnë elegji e vajtojnë. Thuajse tani dhe po në këtë kohë, Imam Husejni (a.s.), nipi i pastër i Profetit të fundit të Zotit, Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe biri i gruas më të pastër dhe trimit më të madh, Hazretit Fatima Zahra (a.s.) dhe Imam Aliut (a.s.), është bërë kurban i injorancës dhe dhunës së dashakeqësve dhe armiqve të kohës së vet.  

Sot është dita e Ashurasë. Tani ka kaluar gjysma e ditës dhe rrezet e diellit kanë marrë ngjyrën e gjakut dhe po duken të kuqe. Imam Husejni (a.s.), nipi i dashur i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe zotëria i të rinjve të parajsës, tanimë është rrethuar nga armiqtë e panjerëzishëm dhe të dobët deri në pikën më të ulët nga aspekti i virtyteve njerëzore. Imam Husejni (a.s.) për herë të fundit përshëndetët me familjen e vet. Djalin e tij të vogël e merr në përqafim dhe e ngreh lartë me dorën e tij në mënyrë që t’i tregojë të gjithëve se “unë në këtë rrugë, kam marrë me vete edhe fëmijën tim të vogël”. Mirëpo armiku i dobët e i pabesë e qëlloi me shtizë edhe këtë foshnje pikërisht në fyt. Imam Husejni (a.s.) me zemrën e djegur e të përvëluar, gjakun e kuq të foshnjës së tij e hodhi lartë në qiell dhe në atë çast e lut Zotin e madhëruar që ta pranojë këtë sakrificë nga ai.

Çastet kalojnë me shumë vështirësi, mirëpo Imam Husejni (a.s.) sa më shumë që afrohet pranë martirizimit, fytyra e tij bëhet më ndezur dhe më e shkëlqyer dhe e gjithë qenia e tij mbushet me dashuri dhe me adhurimin e Zotit. Ai lufton në atë mënyrë thuajse ishte Ali bin Abu Talib, me po atë guxim dhe me po atë trimëri. Namazin e fundit e fal në mesin e breshërisë së shtizave dhe tani pasi që i janë martirizuar shokët e tij besnikë, Imam Husejni (a.s.) ka mbetur vetëm në mes të fushëbetejës. Papritur Zar’a bin Sherik i jep një godite në krahun e majtë dhe një goditje me supet e Imam Husejnit (a.s.). Imam Husejnin (a.s.) tani e ka humbur forcën e vet dhe me shumë plagë të marra në trup, rrëzohet nga ati i vet. Mirëpo trimëria dhe madhëria e tij është aq e madhe sa që asnjë prej ushtarëve të armikut nuk guxon të dal para për ta vrarë atë. Askush nuk e ka guximin që t’i këpus kokën birit të të Dërguarit të Zotit, Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Më në fund një person zemër guri dhe i pamëshirshëm, e godit me shpatë në kokë Imam Husejnin (a.s.). Shpata e çan kapelën mbrojtëse dhe arrin në kokën e bekuar të Imam Husejnit (a.s.). Nga koka e Imam Husejnit (a.s.) fillon të rrjedhë gjaku. Mirëpo është për t’u çuditur kjo që në atë çaste, Imam Husejni (a.s.) me zemrën e tij me plotë dashuri dhe mall për t’u takuar me Zotin e madhëruar, fillon të lutet dhe thotë: “O Zoti i madhëruar, jemi të kënaqur me pëlqimin tënd dhe jam i dorëzuar para urdhrit tënd!”.

Omar Sa’d, komandanti i ushtrisë së Jezidit, bërtet me zë të lartë: “Mjerë për ju! Zbritni dhe përfundojeni punën e Husejnit!”.

Senan bin Enes zbret nga kali dhe shkon pranë Imam Husejnit (a.s.), i vendos shpatën e vet mbi fytin e Imam Husejnit (a.s.) dhe në atë çast thotë: “Betohem në Zot se unë do të pres kokën ty, ndërkohë që e di se ti je i biri i të Dërguarit të Zotit dhe babai dhe nëna e jote kanë qenë prej njerëzve më të mirë mbi tokë!”.

Qielli i nxi nga pikëllimi. E vërteta u vendos në maje të shtizës. Imam Husejni (a.s.) me buzët e tij të etura, pëshpëriste ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe epopeja e madhërishme e Ashurasë arriti në kulmin e saj.

Nga të gjitha ngjarjet e historisë, tragjedia e Ashurasë nëpër kalimin e periudhave historike është shfaqur dhe manifestuar në mënyrë edhe më të qartë ndërkohë që vjetërsia e saj vetëm sa ka shtuar edhe më shumë madhërinë e tragjedisë së Ashurasë dhe e ka bërë atë më të madhërishme deri në atë nivel sa që njerëzit e sotshëm po ndjehen të lidhur me Imam Husejnin (a.s.) dhe me epopenë husejnite dhe po inspirohen nga kryengritja e Imam Husejnit (a.s.). Me të vërtetë çfarë elementi ekziston në ngjarjen e Ashurasë që ka gjetur një shkëlqim kaq të madh mbi qiellin e historisë dhe për çdo ditë më shumë zemra po tërhiqen drejt saj?

Nga pikëpamja e mendimtarëve, “skenat e dhimbshme të ditës së Ashurasë dhe dhuna e tmerrshme që është ushtruar ndaj Imam Husejnit (a.s.) dhe familjes së tij, nuk mund të konsiderohen rezultat i të menduarit të shëndosh dhe të udhëzuar të njerëzve. Gjaku i pastër i Ehli Bejtit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. që është derdhur në fushën e Qerbelasë, nuk është si rrjedha e ujërave të zakonshme. Ai gjak ishte gjaku më i mirë dhe gjaku më fisnik për të cilin ka porositur shumë e shumë herë Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s.. Një njeri i tillë nuk është e mundur që të jetë në rrugën e humbur dhe vrasësit e tij të jenë në rrugën e vërtetë”.

Ky personalitet i madh ka zbukuruar faqet e historisë me luftën për lirinë e njerëzve, për të vërtetën dhe për virtytet e larta njerëzore dhe morale dhe në rrethanat kur ishin ofruar të gjitha kushtet për të arritur në pasuri e pozitë të lartë të kësaj bote materiale dhe Imam Husejni (a.s.) të shpëtonte jetën e vet dhe të mos vritej, pavarësisht të gjitha këtyre, ai nuk e bërë këtë. Imam Husejni (a.s.) në bazë të thirrjes së Kur’anit të shenjtë “luftoni në rrugën e Zotit me pasurinë dhe me jetën tuaj”, bëri kryengritje përball lëvizjes së humbur dhe të pavërtetës dhe pa kurrfarë frike nga fuqia e armiqve, bëri hapa dhe u nis në rrugën e tij përkundër lëvizjes së zakonshme të njerëzve të shoqërisë së kohës së tij. Ai i thirri njerëzit në rrugën e besimit në një Zot dhe në rrugën e lumturisë dhe me zë të lartë e thirri shoqërinë e zhytur në gjumin e neglizhencës duke thënë: “A nuk po shikoni se nuk po zbatohet e vërteta dhe e drejta dhe nuk po parandalohet e pavërteta?!”

Ngjarja e Ashurasë është manifestim i përballjes së të vërtetës me të pavërtetën gjatë gjithë historisë. E vërteta do të thotë çdo gjë e cila përputhet me realitetin ekzistues. Do të thotë një çështje e qëndrueshme, stabile dhe e palëkundur në të cilën nuk mund të depërtojë e pavërteta dhe e humbura. Në ajetet e Kur’anit të shenjtë, Zoti i plotfuqishëm është realiteti më i madh i pamohuar dhe bota e cila është krijesë e Zotit të madhëruar, është ndërtuar në bazë të kritereve të së vërtetës. Në ajetin 62 të sures Haxh në Kur’anin e shenjtë thuhet: “Zoti është e vërteta dhe është i pastër nga çfarëdo e metë dhe e pavërtetë”.

Në bazë të kësaj, puna e botës ekzistenciale në të gjitha pjesët është mbi orbitën e të vërtetës. Pikërisht për këtë arsye thonë se e vërteta është origjinale dhe e pavërteta është e paqëndrueshme. Kur’ani i shenjtë të pavërtetën e krahason me shembullin e shkumës mbi ujë e cila është e përkohshme dhe zhduket. Në ajetin 17 të sures Ra’d në Kur’anin e shenjtë thuhet: “Ai e lëshon ujin (shiun) nga qielli e sipas madhësisë së tyre rrjedhin përrocka, kurse vala e ujit bart mbi vete shkumë të fryrë lart. Shkuma e ngjashme është edhe ajo kur shkrihet (metal) në zjarr për të përfituar ndonjë stoli ose ndonjë mjet e vegël tjetër. Kështu, All-llahu sqaron shembullin e të vërtetës dhe të pavërtetës. Për sa i përket shkumës (së ujit apo të metaleve), ajo hidhet si mbeturinë, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, ajo mbetet në tokë. Kësisoj All-llahu i sjell shembujt”. Prandaj, çdo kush që vendoset në rrugën e ndjekjes së të vërtetës, do të bëhet i lumtur dhe përkundër kësaj, të gjitha dështimet dhe veprimet e këqija janë në zgjedhjen e të pavërtetës.

Ehli Bejti i pastër i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. pas vdekjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s., ka qëndruar përkrah Kur’anit të shenjtë dhe ashtu si një flamur dhe simbol, është bosht i të vërtetës dhe ka mbi supe udhëheqjen e Umetit Islam. Në çdo vend kur e vërteta del nga rruga e vet, nëpërmjet tyre e vërteta kthehet në rrugën e vet. Në këtë mënyrë, në stuhitë dhe vërshimin e ngjarjeve, njeriu vetëm nën mbrojtjen e Ehli Bejtit (a.s.) mund të qëndrojë i shëndosh dhe gjithmonë të ecë në rrugën e të vërtetës. Hazreti Ali (a.s.) në librin “Nahxhul-Balagha” thotë: “Ku po shkoni dhe nga cila anë jeni drejtuar? Flamujt e të vërtetës janë ngritur dhe shenjat e të vërtetës janë shfaqur haptazi. Edhe pse janë instaluar dritat e udhëzimit, përsëri ku po shkojnë njerëzit e humbur dhe pse po vazhdojnë të jenë të humbur, në kohën kur familja e Profetit tuja ndodhet në mesin tuaj? Ata janë litari i të vërtetës dhe flamujt e fesë dhe gjuha e sinqertë. Vendosni ata në vendin më të mirë në të cilin e mbani dhe e ruani Kur’anin e shenjtë (në zemrat dhe në shpirtrat tuaj) dhe sikur njerëzit e etur, vraponi drejt burimit të pastër të tyre për të shuar etjen!”

Në atë kohë kur Imam Husejni (a.s.) e ngriti flamurin e luftës për të vërtetën dhe për ndjekjen e rrugës së vërtetë dhe të të gjitha virtyteve të larta njerëzore dhe morale, njerëzit me zemër guri dhe gjakpirës të pushtetit Emevit dhe ushtria e Jezidit kanë kryer dhe regjistruar një krim në faqet e historisë që tregon ndotjet shpirtëror dhe morale të një grupi të njerëzve të humbur si dhe tregon fundin e ndjekjes së rrugës së humbur dhe të mosbesimit. Sot nga e gjithë ajo ushtri me mijëra ushtar e pushtetit Emevit jo vetëm që nuk ekziston as emri dhe as shenja e tyre, por të gjithë ata njihen në histori për barbarizëm, dhunë dhe gjakderdhje. Tani vetëm emri i Husejn bin Ali (a.s.) dhe i shokëve të tij besnikë ngjallë pasion dhe entuziazëm në zemrat e njerëzve dhe ata që e kërkojnë të vërtetën në përballje me të pavërtetën, e vendosin për udhëzim rrugën dhe metodën e Imam Husejnit (a.s.) në mënyrë që të mos humbin rrugën gjatë përballjes me ngjarje dhe zhvillime të ndryshme.

Në këtë mënyrë martirizimi i Imam Husejnit (a.s.) në ditën e Ashurasë, në shpirtra krijon epope dhe e zhduk ndjenjën e robërisë dhe poshtërimit që sundon mbi një popull dhe i jep dinjitet dhe personalitet shoqërive të përvuajtura. Në bazë të kësaj, Në të gjitha fazat e kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.) mund të vërehet në mënyrë të qartë zgjimi dhe zhvillimi i njeriut. Hurr bin Jezid Rijahi është prej njerëzve të parë i cili duke e kuptuar të vërtetën e kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.), u nda nga grupi i njerëzve të humbur dhe iu bashkua të së vërtetës. Që nga ajo ditë, vazhdimisht ka vazhduar ky vetëdijesim i njerëzve në të gjitha kohërat.

Përshëndetja e Zotit qoftë mbi zotërinë e dëshmorëve, mbi simbolin e dashurisë dhe besimit në Zot, mbi trashëgimtarin e profetëve që nga Ademi a.s. deri te Hazreti Muhamed s.a.v.s..

Përshëndetja e Zotit qoftë mbi atë dhe mbi shpirtrat e pastër të cilët i janë bashkuar atij!

 

Tags