Gusht 04, 2023 09:37 Europe/Tirane
  • Eksportuesit letër FMN-së: Rënia e euros po ndikohet nga paratë kriminale

Pasi një javë më parë kërkuan ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për të shmangur falimentimin për shkak të rënies së euros, shoqatat e eksportuesve i kanë dërguar një letër Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërhyrjen dhe marrjen e masave.

Në letër thuhet se rënia e monedhës europiane vjen si pasojë e parave të pista kryesisht në pasuritë e paluajtshme. “Luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse”, thuhet në letrën drejtuar FMN. Sipas eksportuesve këto luhatje të euros do të ndihen edhe më shume në vitet të vijim. “Konsiderojmë se do të ishte shumë e vlefshme për të bashkuar forcat me ekspertët tuaj, për nxitjen dhe lehtësimin e politikave të eksportit, ku përfshihen politikat fiskale, ato monetare, por edhe rëndësia e reduktimit te kostove dhe te ngarkesave fiskale”, thuhet në letrën e eksportuesve shqiptarë. Për dijeni letra është dërguar edhe Ministrisë së Financave dhe guveratorit të Bankës së Shqipërisë.

Tags