Shkurt 27, 2024 20:38 Europe/Tirane
  • Stano: Nëse s’i zbatojnë marrëveshjet, Kosova dhe Serbia nuk do të përparojnë drejt BE-së

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Kosova dhe Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse nuk bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera, të arritura në kuadër të dialogut.

“BE-ja shpreh keqardhje për përparim të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes, i cili mund t’u atribuohet të dyja palëve”, tha Stano.

Serbia, gjithashtu, mori përsipër që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova pranoi që komunitetit serb t’i sigurojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, një vit më vonë, nga të gjitha pikat e marrëveshjes u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.

Me nënshkrimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur gjatë Luftës në Kosovë, palët morën përsipër të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet që posedojnë, përfshirë edhe ato “konfidenciale”.

Dy palët i njohën, po ashtu, targat e makinave të njëra-tjetrës. Nga janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës nuk i mbulojnë më simbolet shtetërore me afishe të bardha derisa lëvizin me automjete në territorin e Serbisë, dhe anasjelltas.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë për refuzim të zbatimit të Marrëveshjes dhe tha se ajo nuk do që ta nënshkruajë atë.

BE-ja këmbëngul se marrëveshja, edhe pse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligimet që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

 

Tags