Prill 22, 2024 20:52 Europe/Tirane
  • OBI bën thirrje për hetime për varrezat masive në Gaza

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) ka bërë thirrje për një hetim mbi krimet e luftës së Izraelit në spitalin Nasser të Gazës, ku qindra trupa të civilëve janë nxjerrë nga varret masive.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, blloku prej 57 anëtarësh dënoi ekzekutimin dhe varrimin masiv të qindra banorëve të Gazës në oborrin e Kompleksit Mjekësor Nasser duke e cilësuar si një "krim lufte, krim kundër njerëzimit dhe terrorizëm të organizuar shtetëror".

Deklarata vuri në dukje se të ekzekutuarit ishin staf mjekësor, pacientë dhe refugjatë që ishin strehuar në spitalin Nasser.

Organizata tha më tej se "qindra të zhvendosur, të plagosur, njerëz të sëmurë dhe ekipe mjekësore i janë nënshtruar torturës dhe abuzimit përpara se të ekzekutoheshin dhe të varroseshin masivisht".

OBI i ka kërkuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të marrin përgjegjësinë e tyre në këtë drejtim.

Punonjësit e shërbimit civil në Gaza kanë gjetur trupat e 283 palestinezëve në disa varre masive në oborrin e spitalit Nasser, shumica prej tyre gra, fëmijë dhe të moshuar. Disa nga të ekzekutuarit ishin të lidhur pranga dhe me sytë e lidhur.

Lëvizja e rezistencës palestineze Hamas ka dënuar ashpër atë që tha se ishte një "varr masiv i atyre që u ekzekutuan me gjakftohtësi dhe u varrosën me buldozerë ushtarakë në oborrin e spitalit".

 

Tags