Mars 27, 2024 19:53 Europe/Tirane
  • Më shumë se 100 deputetë i kërkojnë qeverisë britanike të ndalojë shitjet e armëve në Izrael

Më shumë se 100 deputetë britanikë i kanë kërkuar qeverisë që të ndalojë menjëherë shitjet e armëve për Izraelin, ndërsa regjimi okupues sionist vazhdon luftën e tij brutale kundër Rripit të rrethuar të Gazës.

Kjo thirrje u bë në një letër të nënshkruar të mërkurën më 27 mars nga 130 deputetë, duke i bërë thirrje ministrit të Jashtëm britanik, David Cameron, të veprojë si vendet e tjera, përfshirë Kanadanë, të cilat kanë ndalur eksportet e tyre të armëve drejt Izraelit.

Letra theksonte se "status quo"-ja për eksportet e armëve britanike në Izrael ishte "krejtësisht e papranueshme", duke vënë në dukje se një avion luftarak F-16 i prodhuar me pjesë britanike ishte përgjegjës për bombardimin e mjekëve britanikë në Gaza dy muaj më parë.

Letra thekson më tej se qeveria britanike pezulloi shitjet e armëve për Izraelin gjatë dy luftërave të mëparshme kundër Gazës.

"Shkalla e dhunës së ushtruar nga ushtria izraelite është shumë më vdekjeprurëse, por qeveria britanike nuk ka arritur të veprojë," theksojnë deputetët britanikë.

“Meqë regjimi izraelit duket se shpërfill rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushimin, ai po shkel përsëri ligjin ndërkombëtar dhe kjo e bën të pamundur injorimin e nevojës për t'i dhënë fund shitjes së armëve. Qeveria britanike duhet më në fund të ngrihet për të drejtat e popullit palestinez, t'i vërë veshin kësaj thirrjeje të 130 parlamentarëve nga të gjitha partitë dhe të ndalojë menjëherë shitjet e armëve në Izrael", thuhet në letrën e deputetëve britanikë.

 

Tags