Mars 28, 2024 10:27 Europe/Tirane
  • Zyrtarja e Departamentit Amerikan të Shtetit jep dorëheqjen për shkak të mbështetjes së vazhdueshme për gjenocidin izraelit në Gaza

Annelle Sheline, një oficere për të drejtat e njeriut në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste kundër mbështetjes së vazhdueshme të Uashingtonit për luftën gjenocidale të regjimit sionist në Gaza.

Sheline, e cila ka punuar si oficere e marrëdhënieve të jashtme në Byronë e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës, njoftoi dorëheqjen e saj në një intervistë me Washington Post të mërkurën, duke thënë se ajo kishte ngritur vazhdimisht shqetësime për dërgimin e armëve amerikane në Izrael.

“Unë nuk isha më në gjendje të bëja vërtet punën time”, tha ajo për gazetën. “Përpjekja për të mbrojtur të drejtat e njeriut, thjesht u bë e pamundur”.

Dorëheqjes së Sheline i parapriu dorëheqja e një zyrtari tjetër të Departamentit të Shtetit, Josh Paul, i cili ishte drejtor në Byronë e Çështjeve Politiko-Ushtarake dhe dha dorëheqjen në tetor të vitit të kaluar.

Për më tepër, Tariq Habash ishte një tjetër zyrtar i qeverisë amerikane që dha dorëheqjen në janar në shenjë proteste kundër mbështetjes së SHBA-së për regjimin sionist.

Sipas Washington Post, një numër punonjësish të qeverisë amerikane gjithashtu planifikojnë të japin dorëheqjen për shkak të luftës në Gaza dhe të protestojnë ndaj mbështetjes së qeverisë për Izraelin.

Më herët, 100 punonjës të Departamentit të Shtetit në një memorandum akuzuan presidentin amerikan Joe Biden për përhapjen e informacioneve mashtruese në lidhje me luftën në Gaza dhe deklaruan se regjimi sionist kishte kryer krime lufte në Gaza.

Gjithashtu, më shumë se 130 punonjës të Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së nënshkruan një letër duke i kërkuar qeverisë të vepronte për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

 

Tags