May 18, 2024 20:06 CET

Në këtë program serial do të hedhim një vështrim jetën, veprat dhe ndikimet e njërit prej filozofëve më të mëdhenj islam dhe iranian mbi kulturën dhe filozofinë në botën islame.

Përshëndetje miq të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e parë të programit serial "Mësuesi i Dytë". Shpresojmë që ky program do të ndihmojë në njohjen më shumë dhe më të gjerë me njërin prej filozofëve dhe mendimtarëve të mëdhenj të Lindjes dhe të botës islame.

Abu Nasr Muhamed bin Muhamed Tarkhani i njohur me epitetin Farabi, ka lindur rreth vitit 257 hixhri kameri (870 të erës së re) në fshatin Vasixh në rajonin Parab (Farab) në qytetin Fararud i cili sot është qyteti Otrar në jug të Kazakistanit, ose sipas një versioni tjetër, ai ka lindur në Parab (Farab) të Khorasanit, që aktualisht ndodhet në Afganistan. Të dy këto rajoni në kohën në të cilën ka lindur Farabi, konsideroheshin pjesë e territorit të Iranit. Babai i tij ishte Muhamed bin Uzlagh një prej gjeneralëve të ushtrisë së dinastisë Samanjan e cila ka sunduar në këtë rajon nga viti 819 deri në vitin 1004 të erës së re).

Farabi ishte një gjeni i cili është shfaqur në një periudhë shumë të ndjeshme historike dhe ka arritur të ushtrojë ndikim shumë të thellë mbi të menduarin e mendimtarëve pas tij. Ndikimi i Farabiut ka qenë aq i madh sa që ndoshta edhe mund të thuhet se ai me idetë e tij ka mundur të krijojë rrethanat për lulëzimin dhe zhvillimin e civilizimit islam. Brenga kryesore e mendimtarit Farabi ishte lidhja dhe ndërveprimi mes fesë dhe filozofisë. Ai besonte se mes fesë Islame dhe filozofisë greke nuk ekzistojnë kontradikta në thelb dhe nëse ekzistojnë dallime dhe mosmarrëveshje në këtë mes, ato janë në aspektin sipërfaqësor të çështjeve dhe ato mund të mënjanohen duke përdorur interpretimet filozofike.

Mësuesi i Dytë, themeluesi i filozofisë islame dhe transmetuesi i logjikës formale greke në botën islame, është një nga titujt që i janë dhënë Abu Nasr Farabiut në historinë e mendimit islam. Për sa i përket rëndësisë së pozitës shkencore dhe filozofike të Farabiut, mjafton të thuhet që shumë komentues dhe autorë të biografive e përmendin atë si filozofin më të madh mysliman dhe orientalistët si De Fu, e kanë konsideruar edhe më të lartë se Ibn Sina. Edhe pse në historinë e mendimit islam, Ebu Jusuf Ja'kub ibn Is'ḥak al-Kindi përmendet si filozofi i parë i mendimit Islam dhe i botës arabe, por Kindi kurrë nuk arriti të themelojë një shkollë të mendimit filozofik ose të paraqiste një sistem gjithëpërfshirës filozofik. Por Farabi e bëri këtë dhe për këtë arsye quhet "themeluesi i filozofisë islame". Gjithashtu, kjo është për arsye se Farabiu ka shkruar komentime të vlefshme për veprat e Aristotelit dhe ai është një nga komentuesit dhe interpretuesit më të rëndësishëm të veprave të mësuesit të parë Aristotelit, prandaj është quajtur edhe me epitetin "Mësuesi i dytë".

Nuk dihet me saktësi se Farabiu në periudhën e fëmijërisë dhe në fillim të periudhës së rinisë së tij ku dhe pranë cilëve mësues ka mësuar shkencat e asaj kohe, mirëpo duke marrë parasysh faktin se babai i tij dhe gjyshi i tij ishe funksionarë të lartë ushtarakë në dinastinë Sasanjan, është e sigurt se ai kishte kushte plotësisht të mira për t'u arsimuar dhe shkolluar dhe shumë studiues besojnë se ai mësimet e para të tij në shkencë dhe filozofi i ka marrë në qytetin Marv dhe pranë mësuesve dhe profesorëve të dalluar, për arsye se qyteti Marv në atë kohë ishte një prej qendrave të shkollimit dhe diskutimeve fetare dhe filozofike dhe aty vepronin dhe ligjëronin profesorë shumë të dalluar. Përveç kësaj edhe afërsia e këtij qyteti me vendin ku ka lindur dhe jetuar Farabi, konsiderohet prej arsye të mira që tregojnë praninë dhe shkollimin e tij në qytetin e lashtë Marv.

Farabi pasi ka përfunduar shkollimin e nevojshëm, për një periudhë të shkurtër ka punuar si gjykatës në këtë qytet dhe më pas ka shkuar në Bagdad dhe sipas shumë gjasave, në këtë qytet ka qëndruar mes viteve 295-320 hixhri kameri. Bagdadi në atë kohë ka qenë qendra e Shtetit Islam dhe qendra në të cilën mblidheshin mendimtarët dhe shkencëtarët myslimanë të fushave të ndryshme.  Farabiu në Bagdad, mësoi shumë mirë shkencat e zakonshme të asaj kohe si gjuhën arabe, jurisprudencën islame dhe apologjetikën kurse më pas për të mësuar më thellë dhe më sakt logjikën dhe filozofinë ka marrë pjesë në kuvendët shkencore të Juhana bin Hilan i cili ishte një i krishterë dhe një prej filozofëve të dalluar të kohës së vet. Farabiu pas një periudhe u bë një prej studentëve të dalluar dhe të veçantë të Juhana bin Hilan dhe ka studiuar gjerësisht logjikën dhe filozofinë pranë tij. Farabiu ka mësuar logjikën dhe po thuajse të gjitha veprat e Aristotelit në fushën e Logjikën pranë Juhana bin Hilan dhe pasi i plotësoi studimet e tij, me propozimin e profesorit të tij, bëri një udhëtim në qytetin Harran dhe në Konstantinpol (Stambolli i sotshëm) dhe atje ka qëndruar përgjatë shtatë vite. Ai gjatë kësaj periudhe mësoi shkencat greke dhe antike drejtpërdrejtë nga shkolla e mendimit e Konstantionopolit dhe kështu zgjeroi njohuritë e tij në të gjitha degët e shkencave duke filluar nga shkencat matematikore e deri te shkencat metafizike.

Farabiu i cili akoma ishte i ri, pas një kohe u kthye përsëri në Bagdad dhe rreth dy dekada të jetës së tij i kaloi në kryeqytetin e Shtetit Islamik në atë kohë. Gjatë kësaj periudhe ka filluar edhe periudha kryesore e jetës dhe veprimtarisë shkencore të Farabiut dhe gjatë kësaj periudhe janë shkruar edhe shumica e veprave të tij. Farabiu në Bagdad, edhe pse në logjikë dhe filozofi tashmë ishte vetë një profesor i dalluar, mirëpo sipas zakonit shkollor të këtij qyteti, ai mori pjesë në kuvendet mësimore të profesorëve më të mëdhenj që ishin në Bagdad, do të thotë mësoi edhe pranë profesorit të njohur Junus bin Meta. Nuk kaloi shumë kohë derisa u përhap fama e tij në të gjithë Bagdadin dhe në të gjithë rajonet e Shtetit Islam dhe ai u njoh si një profesor i plotë në të gjitha shkencat.

Farabiu pas gati 20 vite mësim dhe veprimtari shkencore në Bagdad, nuk e konsideroi të përshtatshme atmosferën e mosmarrëveshjeve politike dhe fetare që sundonte në Bagdad për vazhdimin e veprimtarisë shkencore ose ndoshta edhe për arsye se pikëpamjet politike të tij nuk ishin në harmoni me sjelljet dhe veprimet e pushtetit të asaj kohe në Bagdad. Prandaj, para fillimit të trazirave politike dhe shoqërore, ai u larguar nga Bagdadi dhe shkoi në qytetin Damask. Prania e tij në Damask dhe atmosfera e qetë e pushtetit të sundimtarëve Ikhshidi nuk zgjati shumë. Akoma nuk kishin kaluar dy vjet të qëndrimit të Farabiut aty kur filloi të prishet atmosfera e qetë në rajonin e Shamit dhe Damasku u shndërrua në një vend e konflikteve politike dhe e sulmeve të jashtme. Farabiu edhe kësaj radhe para se të zgjerohen konfliktet dhe problemet e pasigurisë, u largua nga Damasku dhe shkoi në Egjipt dhe atje qëndroi për gati 6 vjet.

Nuk ekzistojnë informacione të shumta në lidhje me mënyrën e qëndrimit dhe veprimtarinë e Farabiut në Egjipt, mirëpo është e sigurt se ai edhe gjatë kësaj periudhe është marrë me shkrimin e veprave dhe me studime të thella në çështje shkencore. Në vitin 338 hixhri kameri, pasi në Damask u ndërrua pushteti sundues dhe në atë kohë kishte ardhur në pushtet dinastia Hamdani, Farabiu për herë të dytë shkoi në Damask dhe atyre qëndroi deri në fund të jetës së tij, do të thotë një vit më vonë. Ai gjatë kësaj periudhe gëzoi mbështetjen e plotë të Sejful-Dovle, guvernatorit të Damaskut i cili ishte mik dhe dashamirës i shkencëtarëve dhe sipas shumë gjasave, Farabiu ishte shkencëtari më i njohur në rrethin dhe qarqet shkencore të mbështetura nga Sejful-Dovle. Farabiu vdiq një vit më vonë, do të thotë në vitin 339 hixhri kameri, në moshën 80 vjeçare dhe në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë funksionarë shtetëror me në krye vetë Sejful-Dovle.

Farabiu është prej shkencëtarëve iranianë i cili ishte i specializuar në fusha të ndryshme shkencore si në matematikë, sociologji, muzikë, mjekësi, logjikë dhe filozofi. Veprat më të shumta që kanë mbetur nga Farabiu dhe i kanë mbijetuar kohës deri më tani, janë në fushat shkencore të logjikës, sociologjisë, në shkrimin e enciklopedisë shkencore dhe në filozofi. Farabiu ishte kishte prirje më shumë drejt shkollës së mendimit Neoplatonit që shumica e përpjekjeve të ndjekësve të kësaj shkolle të mendimit ishin të përqendruar në harmonizimin e ideve të Aristotelit dhe Platonit me teologjinë monoteiste. Farabiu në filozofinë islame gjithashtu konsiderohet njëri prej shkencëtarëve të dalluar dhe të njohur anë e mbanë. Një prej arsyeve kryesore e cila është bërë shkak që Farabiu të quhet me epitetin "Mësuesi i Dytë", janë shpjegimet dhe komentimet e çmuara të cilat i ka shkruar ai mbi veprat e Aristotelit. Gjithashtu vlen të theksohet se Farabiu gëzon një famë të gjerë edhe në vendet perëndimore, deri në atë masë sa që gjatë shekujve të Mesjetës disa vepra të tij janë përkthyer edhe në gjuhën latine.

Farabiu gjatë veprimtarisë dhe karrierës së tij ka qenë i pashembullt në shkenca të ndryshme. Ai ka shkruar libra në lidhje të gjitha dituritë dhe shkencat e kohës së tij. Prej veprave që kanë mbetur nga Farabiu shumë lehtë mund të kuptohet se ai kishte një zotërim të madhe edhe në shkenca të ndryshme si në kimi, shkenca matematikore, gjuhësi, shkenca ushtarake, shkenca natyrore, astronomi, jurisprudencë islame, teologji, logjikë, muzikë dhe shkenca civile.

Farabiu gatë jetës dhe veprimtarisë së tij shkencore e filozofike ka arritur të themeloi një shkollë të re dhe të plotë në fushën e mendimit dhe kjo ka ndodhur në kohën kur filozofi i parë islam, Kendiu i cili kishte hapur rrugën për mendimtarët e tjerë që të veprojnë në këtë fushë, nuk kishte arritur të themelojë një shkollë të mendimit filozofik. Ibn Rushd dhe filozofë të tjerë islamë dhe arabë, kishin një respekt të madh për Farabiun dhe gjithashtu filozofi i njohur Abu Ali Sina në një farë mënyre e konsideronte veten si nxënës të shkollës së Farabiut dhe e konsideronte Farabiun në pozitën e mësuesit të tij. Ibn Sina në lidhje me këtë ka thënë: "Vetëm duke lexuar veprat e Farabiut, kam arritur të kuptojë më drejt qëllimin e Aristotelit në veprën e metafizikës".

 

Tags