Shkurt 03, 2016 11:07 CET

Në këtë emision do të flasim mbi shkeljen e të drejtave të fëmijëve në Afrikën Qendrore nga forcat ushtarake franceze.

Që nga fillimi i shekullit të njëzetë, bota ka përjetuar shumë luftëra. Luftërat dhe trazirat, kanë pasur efekte negative në jetën e njeriut. Në këtë mes, natyrisht se fëmijët janë grupi social i cili ka përjetuar rreziqe me efekte shumë negative në krahasim me të tjerët. Një fëmijë që është viktimë e luftës, përveç që humb shëndetin fizik, atij i kanoset edhe rreziku i përkeqësimit të gjendjes shpirtërore dhe shoqërore. Fëmijët janë më të prekshëm edhe se gratë dhe të moshuarit. Me këtë rast, në dokumentet dhe normat e të drejtës humanitare, fëmijëve i kushtohet më shumë vëmendje se sa grupeve tjera shoqërore dhe kjo nuk duhet konsideruar si ofendim, sepse atyre duhet kushtuar një vëmendje e posaçme. Për këtë arsye, disa vende evropiane me pretendimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në disa vende të varfra e të pazhvilluara në kohën e pas luftës, si dhe me pretendimet se këto vende të varfra nuk do të jenë në gjendje për të mbështetur dhe mbrojtur jetën dhe të drejtat themelore të qytetarëve, kanë vendosur forcat e veta ushtarake në shtete tjera për të ndihmuar popullin e atyre shteteve. Shtetet e fuqishme nën pretekstin e mbrojtjes së njerëzve në zonat e luftës, kanë dërguar forcat e tyre ushtarake deri në momentin e zvogëlimit të dhimbjeve dhe vuajtjeve të tyre. Megjithatë, me kalimin e kohës bëhen të qarta qëllimet e fshehta të këtyre superfuqive dhe këto qëllime janë ndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të varfra si dhe shfrytëzimi i pasurive dhe i burimeve natyrore që kanë ato dhe më në fund shkatërrimi i pavarësisë dhe lirisë së popujve. Pika më e rëndësishme është se forcat e huaja keqpërdorin nderin dhe kryejnë abuzime ndaj qytetarëve të këtyre vendeve të varfra.

Për fat të keq, nganjëherë dëgjojmë informacione të cilat na informojnë në lidhje me veprimet çnjerëzore të forcave ushtarake të cilat nën flamurin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe vendosjes së paqes në vendet e varfra, kryejnë akte të pahijshme kundër dinjitetit të qytetarëve të këtyre vendeve. Disa paqeruajtës dhe forca ushtarake të vendeve të tjera të cilët duke shërbyer si ndihmës humanitar për njerëzit në ato vende, kryejnë krime të pafalshme. Fëmijët nuk kursehen aspak nga këto akte. Fëmijët që kanë përjetuar luftëra janë në situata dhe kushte të vështira dhe nganjëherë janë viktima të ngacmimeve të egra nga ana e forcave ushtarake të misioneve të ashtuquajtura humanitare dhe paqësore. Gjatë ditëve të fundit kemi dëgjuar informacione të pakëndshme në lidhje me abuzimet seksuale të ushtarëve francezë ndaj fëmijëve afrikanë dhe një veprim i tillë është një turp i madh për Francën që pretendon se është djepi i lirisë dhe i të drejtave të njeriut.

Në dhjetor të vitit 2013, në prag të grusht shtetit në Republikën e Afrikës Qendrore (RAQ) dhe dhunës që pasoi, Franca ka vendosur në këtë vend 1600 trupa. Trupat franceze me qëllim dhënien fund të dhunës së shkaktuar në këtë konflikt, hyri në ish-koloninë e saj, pra RAQ. Por sot, në vend që të dëgjojmë rreth efekteve pozitive të pranisë së trupave të tyre në rivendosjen e paqes në këtë vend, jemi dëshmitar të një raporti tronditës të pushtimit të trupave franceze të cilët në shkëmbim të ushqimit dhe ujit kanë kryer akte çnjerëzore kundër fëmijëve të këtij vendi. Sipas një raporti të OKB, fëmijët pa përkujdesje që kanë shkuar për të marrë ushqim nga ushtarët, janë abuzuar seksualisht nga ta. Disa nga fëmijët ishin shumë të rinj dhe madje kishte edhe nga ta që ishin vetëm 9 vjeç. Fëmijët refugjatë të Banguit, kryeqytet i RAQ në vitin 2014 ishin të detyruar që për të marr ushqim, të plotësonin dëshirat seksuale të trupave franceze të cilët shërbenin si paqeruajtës të OKB në këtë vend. Dëshmitarët thonë se trupat franceze kanë keqpërdorur edhe familjet refugjate që kanë pasur nevojë për ushqim. Ata kanë përdhunuar fëmijët në këmbim të ushqimit dhe ujit. Thuhet se këto abuzime në qendrën e të pastrehëve në kryeqytetin e RAQ kanë ndodhur nga dhjetori i vitit 2013 deri në qershor të vitit 2014.

 Sipas gazetës “The Guardian”, Anders Kompass, punëtor i OKB, pas 9 muajsh të raportimit në lidhje me abuzimin seksual të ushtarëve francez të fëmijëve nga 8 deri 15 vjeç në Afrikën qendrore, ai pas vonesës së OKB për të publikuar këtë raport, kishte vendosur vetë publikimin e tij. Anders Kompass raportoi mbi agresionin e ushtarëve francezë kundër fëmijëve të Afrikës Qendrore dhe vonesën e OKB për t’i bërë publike këto abuzime. Më vonë Kompass për shkak të publikimit të këtij raporti, është pushuar nga puna. Burime të mirinformuara të “The Guardian” në lidhje me këtë incident, kanë bërë të ditur se Kompass dinte detajet e abuzimeve seksuale dhe OKB në rast se do të ndërhynte me kohë, atëherë ekzistonte mundësia e parandalimit të tyre.

Në përputhje me këto informacione, u publikua edhe raporti nga grupi “Bota e pastër nga AIDS-i”, i cili dëshmon për abuzimin seksual të fëmijëve nga ana e forcave ndërkombëtare. Në këtë raport flitet për një djalë 9 vjeçar dhe disa shokë të tij të cilët ishin viktimë e abuzimeve seksuale nga ana e ushtarëve francezë, ku ata detyroheshin të kryenin veprime seksuale në këmbim të ushqimit. Paula Donovan, anëtare e kryesisë së grupit “Bota e pastër nga AIDS-i”, ka thënë: Ishte vërtetë vepër e pahijshme dhe tejet e urryer kur OKB nuk ka përfillur abuzimet seksuale të paqeruajtësve”. Donovan ka shtuar: “Reagimi i pavetëdijshëm i OKB ndaj dhunës seksuale-është një veprim i fshehjes dhe i rezervës së këtij institucioni ndaj këtyre akteve çnjerëzore”. Po ashtu edhe organizata joqeveritare “Save dhe Children” ka shprehur shqetësime në lidhje me akuzat për abuzim seksual të fëmijëve në RAQ dhe ka kërkuar nga OKB dhe Franca që të japin shpjegime në lidhje me këtë çështje. Kjo organizatë joqeveritare ka deklaruar: “Nëse vërtetohen këto akuza, atëherë duhet të ndërmerren sanksione të ashpra kundër autorëve të këtyre krimeve”. Natasha Quist, drejtoresh e kësaj organizate joqeveritare në perëndim dhe qendër të Afrikës, ka thënë: “OKB duhet të mbrojë fëmijët që janë viktimë të këtyre abuzimeve”.

Në kohën kur “The Guardian” zbuloi raportin mbi abuzimet seksuale të trupave franceze në RAQ, u raportua edhe mbi rritjen e buxhetit të mbrojtjes nga Franca për 4 miliardë dollarë, për sigurinë e brendshme si dhe të ushtarëve që shërbejnë jashtë vendit. Me sa duket, në mungesë të veprimeve të OKB për parandalimin e abuzimeve seksuale të fëmijëve nga ana e ushtarëve francezë, në verën e vitit 2014 kjo çështje kaloi nën autoritetin e prokurorisë franceze. Ministri francez i mbrojtjes ka thënë se në kohën kur për herë të parë është raportuar për abuzimet seksuale, ka caktuar prokurorinë e Parisit në krye të hetimeve paraprake, mirëpo në vazhdën e kritikave të grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ka vendosur që të bëhet një studim zyrtar gjyqësor në lidhje me këtë çështje. Ministri francez i mbrojtjes pas shpalljes së abuzimeve seksuale nga ana e ushtarëve francezë në RAQ, u deklarua fajtorë për këto akte të turpshme dhe ka kërkuar nga ushtarët francezë që të mos lejojnë uljen e reputacionit të ushtrisë franceze. Jean Yves Ludryan, ministri francez i mbrojtjes gjatë një interviste me gazetën franceze “Journal de Dymansh”, ka thënë se në momentin kur ka dëgjuar lajmin për abuzimin seksual të fëmijëve në RAQ nga ana e ushtarëve francezë, është ndier shumë i nevrikosur. Pas zbulimit të këtij skandali, presidenti francez Francois Hollande premtoi se qeveria e tij do të merret seriozisht me shkelësit. Sipas tij, nëse vërtetohen këto akuza, nuk do të ketë aspak tolerancë për ata të cilët e kanë kryer atë veprim të shëmtuar.

Këtyre ditëve, vendet perëndimore duke pretenduar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, po synojnë realizimin e qëllimeve të tyre në vendet që më parë kanë qenë të kolonializuara nga to dhe përveç plaçkitjes së pasurive dhe burimeve natyrore, ato zhdukin edhe identitetin e këtyre vendeve të varfra. Gratë dhe fëmijët e luftës janë nën presione dhe kushte të vështira të jetesës, tek ta janë prezentë vuajtjet dhe janë të molisur nga mungesa e ushqimit. Kjo me të vërtetë është një turp për Francën, e cila është një pretendente e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Megjithatë qeveritarët e këtij vendi flasin për ndjekjen penale të kryerësve të këtyre veprave abuzive. Megjithatë, shtrohet pyetja, edhe në rast të ndjekjes penale të ushtarëve të cilët i kanë kryer këto vepra, si mund të kompensohen në të ardhmen fëmijët që kanë qenë viktimë? Në të vërtetë, duhet të analizohen rrënjët e këtyre akteve të dhunshme dhe imorale dhe të shtrohet pyetja se, pse një ushtar francez për një copë bukë njollos dinjitetin e një fëmije të uritur dhe të prekur nga lufta? Po ashtu qeveria franceze është përgjegjëse për shkak të neglizhencës dhe mungesës së monitorimit të trupave të saj. Qeveria franceze duhet të përgjigjet para opinionit publik pse nuk mbikëqyr forcat e saj në misionet e  tyre jashtë vendit. OKB në vend të përkrahjes së superfuqive dhe vonesës dhe fshehjes së publikimit të raporteve, duhet të veprojë në përputhje me misionin e saj origjinal për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe të mos bëj dallimin mes të bardhëve dhe të zinjve, apo të pasurve dhe të varfërve.

Tags