Fundi i ISIS, dështimi i skenarit për zhdukjen e boshtit të rezistencës
(last modified Mon, 04 Dec 2017 07:52:08 GMT )
Dhjetor 04, 2017 08:52 Europe/Tirane

Ky emision trajton çështjen e fundit të grupit terrorist ISIS në Siri dhe Irak dhe motivet dhe qëllimet e formimit të këtij grupi terrorist dhe mënyrën e shkatërrimit të tij.

Më në fund, pas viteve të qëndresës dhe rezistencës, grupi terrorist takfirist ISIS dhe kalifati i vetëshpallur i tij u dëbua nga Siria dhe Iraku. Komandanti i brigadave Kods të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit i ka dërguar një mesazh Liderit Suprem të Revolucionit Islamik të Iranit në të cilin ka shpallur përfundimin e pushtimeve të grupit terrorist ISIS. Në këtë mesazh, Gjeneral Kasem Sulejmani thekson: "Unë si një ushtar me detyrë të marrë nga ju për këtë luftë, me përfundimin e operacioneve për çlirimin e qytetit Abu Kemal, kështjella e fundit e ISIS, me hedhjen poshtë të flamurit të këtij grupi amerikano-sionist dhe me ngritjen e flamurit të Sirisë, shpall përfundimin e hegjemonisë së këtij grupi terrorist të mallkuar". Kasem Sulejmani dhe forcat e tij luajtën një rol të madh në parandalimin e rënies së Bagdadit, Damaskut dhe Erbilit nën pushtimin e grupit terrorist ISIS. Ata krijuan një front të fuqishëm kundër terroristëve të ISIS-it duke mobilizuar, organizuar dhe drejtuar forcat vullnetare dhe ushtrinë e shpërbërë të Irakut dhe Sirisë dhe si dhe me organizimin e vullnetarëve nga Irani, Afganistani dhe Pakistani dhe nga lëvizja e fuqishme libaneze Hezbollah penguan avancimet e terroristëve të ISIS. Në frontin kundër ISIS-it nuk ishin të pranishëm vetëm shiitët, por gjithashtu shumë sunitë, izedi dhe të krishterë. Ushtria dhe forcat popullore, së bashku me forcat mbrojtëse të vendeve të shenjta nga Iraku, Irani, Afganistani, Pakistani dhe Libani, kanë bërë të pamundurën për tu përballur me frontin e fuqishëm të ISIS dhe të grupeve të tjera terroriste. Pasi ISIS pushtoi qytetin e Mosulit, strategët amerikanë thanë se do të duhen më shumë se tridhjetë vjet, në mënyrë që Mosuli të mund të çlirohet nga okupimi i ISIS-it. Amerikanët e mbollën farën e ISIS në Irak, dhe askush nuk e di aq shumë sa ata për natyrën dhe fuqinë e këtij grupi terrorist takfirist. ISIS u krijua për qëllime afatgjata me ndihmën intelektuale, financiare, politike dhe ushtarake të Arabisë Saudite, SHBA dhe Britanisë, si organizata më e madhe terroriste në Lindjen e Mesme dhe në botë. Okupimi i pjesëve të mëdha të Sirisë dhe Irakut dhe formimi i një qeverie me emrin  qeveria islamike e Shamit dhe Irakut, u bë me qëllim të ndarjes së vendeve të rajonit dhe eliminimit të rezistencës së këtyre vendeve ndaj regjimit agresor sionist. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe aleatët e tyre rajonalë kanë luajtur një lojë shumëdimensionale në rajon gjatë viteve të fundit. Ata e krijuan ISIS-in dhe në anën tjetër pretenduan të luftonin këtë grup terrorist dhe herë pas here, duke ngritur në fluturim avionët e tyre dhe duke sulmuar bazat e ISIS , u përpoqën të bindnin  opinionin publik se po luftojnë me terroristët.

 

Pas rënies së Mosulit, Shtetet e Bashkuara formuan një front sipërfaqësor nën emrin e koalicionit ndërkombëtar anti-ISIS, për të menaxhuar krizën e pasigurisë në Irak dhe lëvizjet e ISIS, si dhe për të parandaluar që drejtimi i luftës kundër ISIS të bjerë në dorë të frontit të rezistencës. Por rrjedha e ngjarjeve ishte në kundërshtim me vullnetin, shpresat dhe qëllimet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Në politikën e jashtme amerikane, britanike dhe të aleatëve të tyre, nxitja e përçarjeve është elementi më i rëndësishëm për të krijuar pasiguri në vendet e Lindjes së Mesme dhe në krijimin e tensioneve dhe dallimeve midis pasuesve të medh’hebeve të ndryshme islame. Mbi këtë bazë u krijua dhe u forcua nga britanikët rryma ideore vehabiste në Arabinë Saudite dhe u lidh me familjen Al Saud. Baza ideore e ISIS-it rrjedh gjithashtu nga perceptimet e gabuara vehabiste ndaj Kur'anit të Shenjtë dhe Profetit të Allahut (s.a.v.s). Bazuar në këtë perceptim të dhunshëm dhe ekstremist të mësimeve paqësore dhe çliruese të Islamit, muslimanët që nuk i binden konceptit vehabist të Islamit, shpallen të pafe dhe dënohen me vdekje. Në bazë të kësaj ideologjie, ISIS ekzekutoi me prerje koke dhjetëra mijëra njerëz dhe vazhdoi të kryejë krimet më të mizore kundër njerëzimit në emër të Islamit. Shërbimi që ISIS ka bërë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe sionistëve në shkatërrimin e imazhit të Islamit në vitet e fundit, nuk është bërë asnjëherë nga ndonjë grup tjetër. Në të vërtetë, mund të thuhet se projekti ISIS ishte komploti më i madh dhe më i paprecedent që është bërë për të eliminuar unitetin mysliman dhe për të ndryshuar gjeografinë e rajonit. Për herë të parë, një grup terrorist u formua me anëtarë nga vende të ndryshme perëndimore, arabe, afrikane dhe nga Azia Lindore, dhe ky grup ishte më i aftë dhe më i fuqishëm se format e mëparshme të grupeve terroriste. Pika e dytë e rëndësishme e ISIS ishte potenciali i tij ushtarak dhe i inteligjencës. Dërgimi i pajisjeve ushtarake shumë të fuqishme dhe informacionet nga agjencitë e inteligjencës dhe agjencitë e sigurisë të SHBA dhe aleatëve të tyre për ISIS-in ishin shumë më larg se sa imagjinohej. Nga aspekti financiar, ISIS ishte më i fuqishëm se grupet e tjera ekstremiste dhe terroriste. Frika dhe tmerri i përhapur nga ISIS-i ishte gjithashtu e pashembullt në histori, dhe egërsia e terroristëve të ISIS mund të ketë qenë më e madhe sesa egërsia dhe barbaria e mongolëve. Prerja e kokave të fëmijëve, rrjepja e lëkurës së njerëzve, djegia e të burgosurve për së gjalli, mbytja e njerëzve në ujë, shpërthimi i bombave të varura në qafat e njerëzve të lidhur, ekzekutimi i baballarëve dhe nënave para syve të fëmijëve, vrasja e grave dhe e fëmijëve, shfrytëzimi i vajzave dhe robërve seksualisht ishin në mesin e krimeve të këtij grupi, për të cilat mund të thuhet se një sërë prej tyre nuk ishin parë në histori.

 

Meqenëse Irani, në vitet e fundit, ka qenë qendra e unitetit dhe e konvergjencës së vendeve myslimane, qëllimi kryesor i grupit terrorist ISIS, së bashku me objektivat e tjera, ishte të sulmonte Republikën Islamike të Iranit dhe të shkatërronte sigurinë në kufijtë e Iranit. Prandaj, ISIS nuk u formua për t'u zhdukur së shpejti, por u formua për të qëndruar dhe shtrembëruar ekuacionet e Iranit dhe të vendeve islamike. Përkundër pritshmërive dhe dëshirave të Amerikës, sionistëve dhe aleatëve të tyre rajonalë, krimet monstruoze të ISIS zbuluan karakterin dhe natyrën e vërtetë të këtij grupi terrorist për ndjekësit e medh’hebeve të ndryshme islame dhe madje edhe  jo-islame, të cilët vendosën të bashkojnë forcat për zhdukjen e këtij grupi terrorist takfirist. Krimet e ISIS-it unifikuan fiset dhe pasuesit e feve të ndryshme në Siri dhe Irak. Shumë të rinj nga Irani, Libani, Afganistani dhe Pakistani shkuan në Siri dhe Irak për të luftuar ISIS-in. Mijëra prej tyre u martirizuan gjatë kësaj lufte. Megjithatë, vullneti i rezistencës për të luftuar këtë grup terrorist takfirist nuk u dobësua, derisa ata u zhdukën nga Iraku dhe Siria. Grupi që u formua për të zhdukur rezistencën dhe për të nxitur tensionet dhe luftën mes vendeve islamike, çoi në bashkimin e myslimanëve. Të gjithë në mbarë botën e njohin ISIS-in si një grup terrorist dhe askush nuk e sheh ISIS-in si përfaqësues të Islamit. Sigurisht, duhet të konsiderohet se jeta e ISIS-it ka disa nivele; jeta operacionale dhe ushtarake e këtij grupi terrorist sot ka mbaruar dhe ka pak mbetje të saj në shkretëtirat dhe disa zona të margjinalizuara në Lindjen e Mesme që nuk mund të ndërmarrin veprime strategjike kundër qeverive qendrore dhe vendeve muslimane. Por niveli i akteve terroriste të ISIS ende  vazhdon dhe duhet luftuar pa mëshirë.

 

Tags