Tetor 05, 2023 08:58 Europe/Tirane
  • Këshilltarët e Biden shkojnë në Riad për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve

Këshilltarët kryesorë të Bidenit vizituan në heshtje Arabinë Saudite për të ndjekur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Tel Avivin.

Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, këshilltarët e lartë të administratës Biden javën e kaluar udhëtuan në Arabinë Saudite për të vazhduar bisedimet mbi një marrëveshje të gjerë normalizimi me Tel Avivin që mund të përfshijë një traktat paqeje midis dy palëve. Pas takimit të fundit të presidentit amerikan Joe Biden me Benjamin Netanjahun, kryeministrin e regjimit sionist, negociatat në lidhje me këtë marrëveshje morën vëmendjen dhe theksin e të dyja palëve dhe tashmë duket se Biden u ka dhënë dritë jeshile këshilltarëve të tij që të ndjekin këtë marrëveshje dhe i ka dërguar në Riad. Administrata Biden është e etur për të finalizuar këtë marrëveshje të rëndësishme midis Arabisë Saudite dhe regjimit sionist përpara fillimit të fushatës zgjedhore presidenciale 2024. Sipas raportit të Axios, Brett McGurk, si këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme dhe Amos Hockstein, këshilltar i lartë i Biden për çështjet e energjisë dhe infrastrukturës, javën e kaluar vizituan Arabinë Saudite.   Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka bërë publike qëllimin e vizitës së tyre në Riad. Sipas raportit, McGurk dhe Hochstein gjatë udhëtimit të tyre u takuan me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe zyrtarë të tjerë të lartë sauditë ku diskutuan aspekte të ndryshme të marrëveshjes së propozuar të normalizimit.  Vizita e këshilltarëve të Bidenit në Arabinë Saudite u bë pasi burime diplomatike thanë se sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken do të vizitojë Izraelin dhe do të takohet me Autoritetin Palestinez (AP) dhe pas kësaj do të shkojë në Arabinë Saudite si dhe Marok. Ky udhëtim do të zhvillohet në javën e tretë të tetorit dhe është pjesë e përpjekjes së Uashingtonit për të realizuar normalizimin mes Tel Avivit dhe Riadit, në kuadër të zgjerimit të Marrëveshjes Abraham.  Një marrëveshje me anë të së cilës Maroku dhe disa qeveri të tjera arabe  kanë normalizuar marrëdhëniet e tyre me regjimin sionist. Më parë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby tha se bisedimet e normalizimit do të përcaktojnë një kornizë bazë për të ecur përpara. Në javët e fundit, zyrtarët izraelitë kanë filluar udhëtimet e tyre në Arabinë Saudite hapur dhe ndonjëherë zyrtarisht.  Vizita e parë zyrtare e zyrtarëve të Tel Avivit në Riad u bë në shtator nga ministri i Turizmit të Izraelit, Haim Katz dhe ministri i Komunikacionit, Shelmo Korahi, i cili bëri vizitën e tij të parë zyrtare më 2 tetor, si kreu i një delegacioni teknik në konferencën ndërkombëtare të investimeve në Riad.

 

Tags