Prill 24, 2024 12:30 Europe/Tirane
  • Stoltenberg: NATO nuk ka plane për të vendosur armë bërthamore në vende të tjera

Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha: "Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) aktualisht nuk ka plane për të vendosur armë bërthamore në vende të tjera si pjesë e përpjekjeve të saj parandaluese".

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar uebsajtin ukrainas të lajmeve Ukrainska Pravda, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili mori pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin britanik Rishi Sunak në Varshavë, në lidhje me programet e pavarësisë së armëve bërthamore të NATO-s në vendet e tjera u shpreh: "Aktualisht, nuk kemi asnjë plan për të ndryshuar statusin e armëve tona bërthamore; as për ndryshimin e vendndodhjes së tyre dhe as për t'i transferuar ato tek anëtarët e tjerë të NATO-s".

Sipas portalit "Ukrainska Pravda", programi parandalues bërthamor i NATO-s i quajtur "Programi i Pjesëmarrjes Bërthamore" i lejon anëtarët e këtij pakti të mbrojtjes të vendosin armët e tyre bërthamore në vendet që nuk i kanë këto armë.

Që nga nëntori i vitit 2009, NATO ka vendosur armë bërthamore amerikane në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi në kuadër të këtij programi.

Në përgjigje të vendimit të Rusisë për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi, qeveria e mëparshme polake mbështeti në mënyrë aktive idenë për t'u bashkuar me programin e pjesëmarrjes bërthamore të NATO-s, por deklaratat e fundit të presidentit polak Andrzej Duda për vendosjen e mundshme të armëve bërthamore në vend shkaktuan mosmarrëveshje mes tij dhe Donald Tusk, kryeministrit të Polonisë.

Ndërsa presidenti i Polonisë, duke iu referuar forcimit të sistemit të armatimit të Rusisë në Bjellorusi dhe Kaliningrad, ka thënë se vendi i tij është gati për vendosjen e armëve bërthamore të NATO-s, megjithatë, duket se jo të gjithë zyrtarët në Poloni janë dakord me Dudën.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka njoftuar më herët fillimin e dërgimit të armëve bërthamore taktike ruse në vendin e tij dhe tha: "Disa prej tyre janë tri herë më të fuqishme se bombat atomike të përdorura në Hiroshima dhe Nagasaki në 1945 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Vendosja e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi është hapi i parë i Moskës për të dërguar këto koka (bërthamore) luftarake jashtë territorit rus që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, armë këto me rreze më të shkurtër dhe fuqi më të vogël se armët e tjera bërthamore që mund të përdoren në fushën e betejës.

Putin njoftoi në mars se kishte rënë dakord për vendosjen e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, duke përmendur vendosjen prej dekadash të armëve bërthamore të SHBA-së në vendet evropiane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan vendimin e Putinit, por njoftuan se nuk kanë ndërmend të ndryshojnë pozicionin e tyre në lidhje me armët bërthamore strategjike. Lukashenko ka thënë se vendosja e armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusi do të veprojë si një pengesë kundër agresorëve të mundshëm.

 

Tags