Korrik 27, 2020 05:18 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 33-37 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Në vazhdim le të dëgjojmë ajetet 33-34 të sures Zumer:

«وَالَّذِی جَاءَ بِالصِّدْقِ وَصَدَّقَ بِهِ  أُولَـئِکَ هُمُ الْمُتَّقُونَ»

33. E ai që e solli të vërtetën dhe ai që e vërtetoi atë, të tillët janë të ruajturit.  

«لَهُم مَّا یَشَاءُونَ عِندَ رَبِّهِمْ  ذَلِکَ جَزَاءُ الْمُحْسِنِینَ»

34. Ata te Zoti i tyre kanë çka do që dëshirojnë, e ai është shpërblimi i bamirësve.

Njerëzit në ditën e kiametit ndahen në dy grupe besimtarët dhe mëkatarët. Në fund të ajetit të mëparshëm folëm mbi fundin e mëkatarëve të cilët për shkak të kokëfortësisë dhe këmbënguljes së tyre shkojnë në ferr. Këto ajete flasin për besimtarët dhe thonë: Ata kanë dëgjuar fjalën e drejtë dhe të vërtetë dhe kanë krijuar besim dhe bindje. Ata janë njerëz që kanë krijua besim si me zemër por edhe në sjelljen dhe gjuhën e tyre kanë respektuar mësimet dhe udhëzimet e fesë dhe besimit. Të tillë njerëz u janë larguar së keqes dhe padrejtësisë. Në të kundërtën e mëkatarëve që janë dërguar në ferr, fundi i besimtarëve është futja në parajsë. Atje çfarë ata të kërkojnë Zoti ua plotëson si gëzimet dhe përfitimet materiale ashtu edhe kënaqësitë dhe pozitat fetare. Është e qartë se besimtarët e  vërtetë janë njerëz të drejtë dhe të mirë dhe shpërblimi jepet për veprimin dhe besimin e tyre.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Drejtësia në shprehje dhe veprim, janë kushtet e para të Zotit ndërkohë që gënjeshtra nuk përputhet me shpirtin e besimit.
  2. Përhapja e fesë është me ndikim dhe efikas në kohën kur njeriu të zbatojë vetë atë që thotë sepse në rast të kundërt ndikimi mund të jetë negativ.
  3. Shpërblimet dhe mirësitë hyjnore në parajsë nuk kanë kufizim dhe ato jepen sipas vullnetit dhe kërkesës së banorëve të parajsës.
  4. Besimi dhe mirësia, janë dy nga fjalët më të përdorura në Kuran që plotësojnë njëra-tjetrën.

Tani le të dëgjojmë ajetin 35 të sures Zumer:

«لِیُکَفِّرَ اللَّـهُ عَنْهُمْ أَسْوَأَ الَّذِی عَمِلُوا وَیَجْزِیَهُمْ أَجْرَهُم بِأَحْسَنِ الَّذِی کَانُوا یَعْمَلُونَ»

35. All-llahu do t’ua shlyej atyre edhe më të keqen që e punuan dhe do t’u japë shpërblime më të mira për ata që punuan.

Një nga kërkesat më të zakonshme të besimtarëve dhe mirëbërësve është që Zoti i Madhërishëm atyre tu falë gabimet dhe punët e këqija dhe t’i shpërblejë për punët e mira. Zoti e pranon kërkesën e tyre dhe duke ua falur veprimet e gabuara, atyre u jep shpërblimet më të mira. Duhet thënë se besimi nuk nënkupton ruajtja e njeriut nga cdo lloj gabimi apo tronditje, por është një shpirt drejt pastrimit dhe vërtetësisë që e inkurajon njeriun drejt rrugës pa bërë gabime dhe mëkate dhe ku ai përmbahet nga kryerja e mëkateve. Në të njëjtën kohë ekziston mundësia që një njeri i tillë të lëkundet dhe tronditet dhe në formë të padëshiruar kryen mëkat. Besimi është si një lloj mburoje që e veshin luftëtarët për të shpëtuar veten nga shigjetat e armikut, mirëpo jo gjithmonë mburoja mund ta mbrojë atë nga çdo shigjetë. Është e rëndësishme që luftëtari me mburojë në dorë të kujdeset për veten e tij dhe të mbrohet. Mirëpo ekziston mundësia që një luftëtar, hedh mburojë në tokë dhe ndjek prirjet djallëzore. Mirëpo mëshira e Zotit përfshin ata njerëz që sakrifikojnë dhe janë të kujdesshëm dhe për këtë arsye në rast se dikush në formë të padëshiruar në një rast të caktuar bën gabim dhe mëkat Zoti e fal atë dhe për punët e mira që ka bërë e shpërblen. Qëllimi dhe ambicia e këtyre njerëzve është më e madhe sesa veprimi i mirë që ata kanë mundur të realizojnë.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. E rëndësishme është qëllimi dhe objektivi i njerëzve. Nëse njeriu mundohet për të mos kryer gabime dhe mëkate, Zoti i shpërfill veprimet e tyre të këqija dhe i shpërblen ata për veprimet e mira.
  2. Pastrimi nga gabimet dhe mëkatet është parapërgatitje për përfitimin e mëshirës hyjnore.

Tani le të dëgjojmë ajetet 36-37 të sures Zumer:

«أَلَیْسَ اللَّـهُ بِکَافٍ عَبْدَهُ وَیُخَوِّفُونَکَ بِالَّذِینَ مِن دُونِهِ  وَمَن یُضْلِلِ اللَّـهُ فَمَا لَهُ مِنْ هَادٍ»

36. A nuk i mjafton All-llahu robit të vet? E ata të frikësojnë ty me të tjerët pos Tij. Po atë që e ka humbur All-llahu, për të nuk ka udhëzues!  

«وَمَن یَهْدِ اللَّـهُ فَمَا لَهُ مِن مُّضِلٍّ أَلَیْسَ اللَّـهُ بِعَزِیزٍ ذِی انتِقَامٍ»

37. Atë që All-llahu e drejton, atë nuk ka kush e humbë; a nuk është All-llahu i gjithëfuqishëm që ndërmerr ndëshkime?  

Në vazhdim të ajeteve të mëparshme ku bëhet krahasimi i besimtarëve me mëkatarët, këto ajete i drejtohen Profetit duke thënë: Ata në vend që të pranojnë fjalën e vërtetë, ngrihen për tu kundërvënë ty dhe të kërcënojnë, ndërkohë që Zoti ty të mjafton dhe pa dashtë Zoti askush ty nuk mund të dëmtojë ashtu siç në të kaluarën Zoti i mbrojti hazretin Ibrahim nga djegia në zjarr, Musain nga rreziku i shtypjes nga faraoni, apo Isain nga varja. Në vazhdim ajetet flasin për udhëzimin dhe humbjen dhe thonë se çdokush që pranon udhëzimin hyjnor ai mbrohet nga devijimi dhe humbja dhe çdokush që nuk e pranon do të humbasë dhe nuk do të gjejë rrugën e drejtë. Ajetet në fund theksojnë faktin se a nuk e dinë mëkatarët dhe gabuesit se në asnjë mënyrë nuk mund të rezistojnë përballë Zotit dhe të dalin fitimtarë përballë vullnetit të Tij? A nuk e dinë ata se hakmerret ndaj çdokujt që u kundërvihet profetëve hyjnore dhe kundërshtojnë mësimet e tyre? Dhe hakmarrja është pikërisht humbja dhe devijimi i tyre?

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Nëse njeriu beson dhe i bindet Zotit, atëherë Zoti plotëson nevojat e tij.
  2. Njeriu besimtar përballë kërcënimeve të armikut mbështetet tek Zoti dhe në vend që tu nënshtrohet fuqisë dhe mundësive të armikut, me shpresë tek Zoti dhe duke u mbështetur tek Ai, ndjek rrugën e drejtë dhe reziston në këtë rrugë.
  3. Humbja dhe devijimi i njerëzve nuk është pa parakushte, sepse njeriu për shkak të veprimeve të tij të padrejta, largohet nga drita e udhëzimit dhe devijohet për në humnerë.

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

 

Tags