Korrik 27, 2020 05:24 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 38-41 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Në vazhdim le të dëgjojmë ajetin 38 të sures Zumer:

«وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ لَیَقُولُنَّ اللَّـهُ  قُلْ أَفَرَأَیْتُم مَّا تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ إِنْ أَرَادَنِیَ اللَّـهُ بِضُرٍّ هَلْ هُنَّ کَاشِفَاتُ ضُرِّهِ أَوْ أَرَادَنِی بِرَحْمَةٍ هَلْ هُنَّ مُمْسِکَاتُ رَحْمَتِهِ  قُلْ حَسْبِیَ اللَّـهُ  عَلَیْهِ یَتَوَکَّلُ الْمُتَوَکِّلُونَ»

38. Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: All-llahu! Ti thuaju: Më tregoni pra, për ata që i adhuroni, pos All-llahut, nëse All-llahu më godit mua me ndonjë të keqe, a munden ta largojnë ata atë të keqe, ose, nëse All-llahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ta pengojnë ata të mirën e Tij? Thuaju: Mua më mjafton All-llahu. Vetëm Atij i mbështeten të mbështeturit.

Në ajetet e mëparshëm folëm për fatin e të udhëzuarve dhe të humburve. Ky ajet flet për një çështje të rëndësishme dhe thotë: Mëkatarët e kanë pranuar krijimtarinë e Zotit dhe ishin të mendimit se ishte Zoti, ai që ka krijuar botën mes tyre njerëzit. Mirëpo ata mendonin se personat apo sendet e tjera kishin rol në fatin e tyre dhe dukej sikur Zoti pas krijimit të botës përgjegjësinë për administrimin e njeriut ua kishte dorëzuar atyre dhe vetë ishte larguar nga çështja e administrimit. Mëkatarët e atyre kohërave dhe ata të sotëm, u falen gjërave që nuk kanë as fuqinë të largojnë njerëzit nga dëmtimi dhe as fuqinë që jenë në interes të njerëzve. Si idhujt prej guri dhe prej druri në kohën e Profetit ashtu edhe idhujt e tempujve të sotëm në Indi, nuk kanë as rolin më të vogël në zgjidhjen e problemeve të njeriut. Përkulja, respekti dhe falja përballë tyre, bëhen shkak për devijimin e njerëzve nga rruga e drejtë, humbjen e tyre në humnerë dhe së fundi eliminimin e njeriut. Ajeti në fund thotë: Mirëpo besimtarët pa u kushtuar vëmendje atyre gjërave të cilat janë krijuar nga vetë Zoti, ashtu si krijesat e tjera ndjekin vetëm Zotin dhe mbështeten vetëm tek Ai. Besimtarët pas shumë përpjekjeve për të kryer përgjegjësinë e tyre në formën sa më të drejtë, rezultatin e veprimit dhe punës së tyre ia lënë në dorë Zotit dhe prej Tij kërkojnë të japë atë që e sheh të arsyeshme dhe që është më e mira.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Idhujtarët e kishin pranuar krijimtarinë e Zotit, mirëpo kujtonin se idhujt kishin rol shpëtues dhe ata i konsideronin si ndërmjetës mes tyre dhe Zotit.
  2. Dëmtimi dhe shpërblimi i njerëzve është në dorën e Zotit dhe nuk është ashtu sic ne e përfytyrojmë. Prandaj në vend që të mbështetemi tek gjëra apo sende që ashtu si ne janë krijesa të Zotit, duhet të mbështetemi vetëm tek Zoti.

Tani le të dëgjojmë ajetet 39-40 të sures Zumer:

قُلْ یَا قَوْمِ اعْمَلُوا عَلَى مَکَانَتِکُمْ إِنِّی عَامِلٌ فَسَوْفَ تَعْلَمُونَ»

39. Thuaj: O populli im, veproni sipas gjendjes suaj, e edhe unë veproj sipas times e më vonë do ta dini, 

«مَن یَأْتِیهِ عَذَابٌ یُخْزِیهِ وَیَحِلُّ عَلَیْهِ عَذَابٌ مُّقِیمٌ»

40. se cilit do t’i vijë dënimi që e poshtëron dhe do ta godasë dënimi i përjetshëm!

Këto ajete thonë se përballë veprimeve dhe bindjeve të padrejta në shoqëri duhet të bëjmë qëndresë dhe rezistencë. Ashtu siç Profeti mori mision nga Zoti që tu bënte të qartë familjarëve, të afërmeve dhe shoqërisë se ai nuk u falej idhujve dhe se përkulej vetëm përballë Zotit Një. Nëse kujtoni se rruga juaj është e drejtë, atëherë vazhdon rrugën dhe metodën tuaj, ndërsa unë do të vazhdoj rrugën time duke u bazuar tek besimi dhe bindja tek Zoti dhe më pas do të shohim fundin e veprimit tuaj dhe veprimit tim. Ky ajet është i ngjashëm me ajetin që thotë ( doktrina juaj për ju dhe doktrina ime për mua), ku Profeti deklaron se nuk pranon asnjë lloj kompromisi me mëkatarët dhe gabuesit dhe nuk nënshtrohet aspak përballë doktrinës së tyre të gabuar. Më pas Profeti paralajmëron mëkatarët dhe u thotë të jenë të kujdesshëm në veprimet e tyre sepse si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër do të marrin ndëshkimin hyjnor dhe rikujton se ndëshkimi jepet si rezultat i veprimeve të tyre dhe jo se Zoti është i pamëshirshëm dhe bën padrejtësi.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Njerëzit besimtarë janë njerëz me vullnet dhe besim të fortë dhe në një ambient të ndotur dhe plot devijime ata nuk lëkunden aspak. Një njeri i tillë nuk ndikohet nga mendimet dhe bindjet e padrejta të shoqërisë.
  2. Liderët hyjnorë, kanë prezantuar fuqishëm qëndrimet e veta. Ata lidhur me bindjet e tyre fetare, nuk ishin nga ata që bënin kompromise dhe nuk tërhiqeshin qoftë edhe një milimetër.

Tani le të dëgjojmë ajetin 41 të sures Zumer:

«إِنَّا أَنزَلْنَا عَلَیْکَ الْکِتَابَ لِلنَّاسِ بِالْحَقِّ فَمَنِ اهْتَدَى فَلِنَفْسِهِ وَمَن ضَلَّ فَإِنَّمَا یَضِلُّ عَلَیْهَا وَمَا أَنتَ عَلَیْهِم بِوَکِیلٍ»

41. Ne ta zbritëm ty librin me argumente për njerëz, e kush orientohet në rrugën e vërtetë, ai e ka për vete e kush e humb, ai i bën dëm vetëm vetes, e ti nuk je garantues i tyre.  

Ky ajet flet për përgjegjësinë e Profetit në marrjen e shpalljes hyjnore dhe përhapjen e saj për njerëzit dhe thotë: Zoti atë që e konsideronte të nevojshme për drejtimin dhe udhëzimin e njerëzve, duke u bazuar tek e vërteta dhe e drejta, ia ka shpallur Profetit të Tij dhe profeti pa hequr qoftë edhe një presje atë e ka përcjellë dhe përhapur tek njerëzit në formën e një libri të shkruar dhe të përhershëm. Në këtë mes, disa njerëz pranojnë fjalën e tij dhe përfitojnë nga udhëzimi hyjnor në jetën e tyre, ndërsa disa të tjerë për nga këmbëngulja dhe kryeneçësia nuk pranuan fjalën e tij dhe qëndruan të humbur. Është e natyrshme që dëshira e çdo profeti që është mësues dhe udhëzues i dhembshur i shoqërisë, është krijimi i besimit në Zot nga të gjithë njerëzit, mirëpo kur disa njerëz nuk duan të krijojnë besim, ata nuk mund t’i detyrosh.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Thelbi i Kuranit është shprehja e së vërtetës dhe e së drejtës ekzistuese. Ajo që shprehet në Kuran nga koka deri tek këmbët është e gjitha e vërtetë dhe në të nuk ka asnjë të padrejtë. Kurani është zbritur që të udhëzojë njerëzimin në rrugën e drejtë dhe të duhur.
  2. Njerëzit në zgjedhjen e rrugës së tyre janë të lirë. Mirëpo ata duhet të mbajnë përgjegjësinë e zgjedhjes së tyre dhe të pranojnë pasojat.
  3. Përgjegjësia e profetëve është shpallja e fjalës hyjnore dhe jo detyrimi i njerëzve që ta pranojnë atë fjalë.

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

 

Tags