Korrik 27, 2020 05:38 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 54-58 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Tani le të dëgjojmë ajetet 54-55 të sures Zumer:

«وَأَنِیبُوا إِلَى رَبِّکُمْ وَأَسْلِمُوا لَهُ مِن قَبْلِ أَن یَأْتِیَکُمُ الْعَذَابُ ثُمَّ لَا تُنصَرُونَ»

54. Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuluni Atij para se t’u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. 

«وَاتَّبِعُوا أَحْسَنَ مَا أُنزِلَ إِلَیْکُم مِّن رَّبِّکُم مِّن قَبْلِ أَن یَأْتِیَکُمُ الْعَذَابُ بَغْتَةً وَأَنتُمْ لَا تَشْعُرُونَ»

55. Dhe përmbajuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos dini. 

Në emisionin e kaluar folëm për mëshirimin dhe faljen që përfshin të gjithë krijesat e Zotit. Këto ajete përmendin rrugën e përfitimit të mëshirës dhe faljes hyjnore që janë pendimi për mëkatet dhe kthimit në rrugën e Zotit dhe tjetër ndjekja e udhëzimeve dhe mësimeve të larta hyjnore. Këto ajete përveçse japin shpresë për faljen dhe mëshirën e Zotit, paralajmërojnë edhe për ndëshkimin hyjnor duke paralajmëruar se në rast se nuk hiqni dorë nga gabimet e së kaluarës dhe insistoni në kryerjen e mëkateve, do të bini pre e ndëshkimit hyjnor. Ndëshkimet do të jenë si në këtë botë që vijnë në formë të papritur ashtu edh enë ahiret pas vdekjes ku askush nuk mund të shpëtojë prej tyre.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Shenjë e pendimit real është bindja me zemër përballë urdhrave të Zotit
  2. Pendimin mos e shtypi sepse jeta është e shkurtër dhe fundi i saj nuk dihet
  3. Njëkohësisht me pendimin dhe dorëzimin me zemër, duhet vepruar në mënyrë të drejtë
  4. Punët dhe veprimet e mira janë të shumta mirëpo jeta e njerëzve është e kufizuar. Prandaj sa herë që merrni vendim për pendim duhet të zgjidhni punët dhe veprimet më të mira

Tani le të dëgjojmë ajetin 56 të sures Zumer:

« أَن تَقُولَ نَفْسٌ یَا حَسْرَتَى عَلَى مَا فَرَّطتُ فِی جَنبِ اللَّـهِ وَإِن کُنتُ لَمِنَ السَّاخِرِینَ»

56. Dhe të mos thotë ndokush: O i mjeri unë që kam lënë mangë respektimin ndaj All-llahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!

Një prej karakteristikave më rëndësishme të ahiretit për të cilën është folur në disa ajete të Kuranit, është pendimi i njerëzve për neglizhencën e treguar në këtë  botë. Në kohën kur njeriu përballet me prezantimin e fakteve të veprimeve të tij si neglizhenca, veprimet e gabuara dhe të ndaluara, ai pendohet thellësisht dhe zemrën e tij e përfshin mërzitja. Në ditën e kiametit mëkatarët pendohet për shkak se kanë mohuar ajetet e kuranit dhe të dërguarin e Zotit. Mëkati i tyre kryesor është pikërisht tallja me ajetet e Koranit dhe të dërguarit e Zotit. Në përgjithësi në ditën e kiametit të gjithë njerëzit pendohen dhe shpresojnë që të kthehen në këtë botë për të rikuperuar gabimet e tyre, mirëpo ky pendim për ata nuk ka asnjë dobi. Sigurisht disa prej dijetarëve fetarë pendohen më shumë se pjesa tjetër e popullit për arsye se ata nuk kanë vepruar sipas dijes dhe njohurisë së tyre. Në ditën e kiametit njerëzit e kuptojnë se vetëm ato veprime janë me vlerë që janë bërë në formë të pastër për hir të Zotit. Ata arrijnë të kuptojnë këtë të vërtetë se shumë prej përpjekjeve të tyre në këtë botë edhe pse në pamje të jashtme duken si punë të drejta dhe të mirë, mirëpo ato nuk kanë pasur vlerë dhe kanë mbetur në këtë botë.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Sa më shumë neglizhojmë në këtë botë në kryerjen e punëve të mira për hir të Zotit aq më shumë pendohemi në ahiret
  2. Kiameti është dita kur bëjmë pohime kundër vetes dhe pendohemi për të kaluarën
  3. Ata që në këtë botë janë tallur me Kuranin dhe urdhrat e shenjtë, në ditën e kiametit pendohen për atë që kanë bërë, mirëpo pendimi i tyre është i vonuar dhe nuk vlen

Tani le të dëgjojmë ajetet 57-58 të sures Zumer:

«أَوْ تَقُولَ لَوْ أَنَّ اللَّـهَ هَدَانِی لَکُنتُ مِنَ الْمُتَّقِینَ»

57. Ose të mos thotë: Ah, sikur të më kishte udhëzuar All-llahu (në rrugë të drejtë) e të kisha qenë prej atyre që janë të ruajtur!

«أَوْ تَقُولَ حِینَ تَرَى الْعَذَابَ لَوْ أَنَّ لِی کَرَّةً فَأَکُونَ مِنَ الْمُحْسِنِینَ»

 

58. Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: Sikur të isha kthyer edhe njëherë e të isha bërë prej atyre bamirësve!

Në ajetin e mëparshëm është folur për pikëllimin dhe mërzitjen e njerëzve në ditën e kiametit. Ky ajet përmend shprehjen e banorëve të ferrit dhe thotë: Ata kur shohin njerëzit e parajsës që me duar plot shkojnë për në parajsë, shprehin dëshirën që të jenë në mesin e tyre dhe së bashku me ata të shkojnë në parajsën e mbushur me begati pafund. Ata të ferrit thonë: Nëse Zoti do të na kishte udhëzuar, edhe në do të ishim të parajsës, do tu ishim larguar mëkateve në botë dhe do të ishim në mesin e sakrifikuesve. Mëkatari me të tilla fjalë mundohet ta shfajësojë veten e tij. Ai në kohën kur përballet me ndëshkimin dhe me sytë e tij shikon zjarrin e ferrit, shpreson që t’i jepej mundësia të kthehej në këtë botë dhe mëkatet e tij t’i lante duke bërë punë të mira dhe të denja dhe në këtë mënyrë të futej në rangun e të mirëve. Është e qartë se shprehja e tij është e padrejtë dhe kërkesa e tij është e pavend. Zoti ka dërguar profetët dhe i ka udhëzuar të gjithë njerëzit. Prandaj çdokush që nuk është udhëzuar nuk ka dashur vetë dhe me padyshim kërkesa e tij për tu rikthyer në këtë është e parealizueshme.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Në ditën e kimetit shfaqet vlera dhe rëndësia e besimit. Me pak fjalë ajo që vlen në ditën e kiametit është besimi dhe bindja dhe jo pasuria, fama apo pushteti
  2. Nëse njeriu nuk ndjek udhëzimin hyjnor, çfarëdo rruge tjetër që ai ndjek në ahiret nuk ka asnjë burim shpëtimi
  3. Në ditën e kiametit, mëkatarët pendohen dhe hidhërohen përballë sakrifikuesve dhe shpresojnë që të jenë në mesin e tyre
  4. Besimi dhe bindja janë dy faktorë shpëtues të njeriut në ditën e kiametit

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

Tags