Mars 26, 2024 19:54 Europe/Tirane
  • Rrëzohet kërkesa e Rusisë për seancë të KS të OKB për sulmet e NATO-s në Serbi

Është rrëzuar pretendimi i Rusisë për mbajtjen e një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku të diskutoheshin bombardimet e NATO-s në Serbi 25 vjet më parë.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe vende të tjera  perëndimore, abstenuan në votim duke parandaluar futjen e kësaj teme në axhendën e  diskutimit. Rusia kishte kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të bëhej pjesë e axhendës së takimit të së hënës të Këshillit 15 anëtarësh. Me këtë gjë ishte pajtuar sakaq Japonia, që mban kryesimin e Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, argumentoi se çështja e ndërhyrjes së NATO-s nuk është çështje historike, por Kosova, sipas tij, mbetet në axhendën e Këshillit, pasi tha se situata në këtë shtet është përkeqësuar së fundi.

Ai e përshkroi ndërhyrjen ushtarake të aleancës NATO si “shkelje madhore të ligjit ndërkombëtar” dhe Kartës së OKB-së.

Por Shtetet e Bashkuara i kujtuan ambasadorit rus se e mbështetën fushatën 78-ditore kundër objektivave policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë, si një “veprim të nevojshëm dhe legjitim për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”.

Përfaqësuesi i Francës nga ana tjetër deklaroi se “Rusia, në mënyrë cinike po përdor çështjen e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s më 1999 dhe po tenton që të justifikojë luftën e saj kundër Ukrainës, siç ka bërë në të kaluarën, për të justifikuar politikën e saj të jashtme agresive në Gjeorgji dhe Krime”.

 

Tags