Qershor 06, 2024 10:16 Europe/Tirane
  • Irani dhe Egjipti bien dakord për përshpejtimin e konsultimeve për zgjidhjen e krizës në Gaza

Zyrtarët e lartë diplomatikë iranianë dhe egjiptianë ranë dakord për ruajtjen e ritmit të konsultimeve për procesin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjidhjet e krizës aktuale në Rripin e Gazës dhe përballjen me sfidat që lidhen me të në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Iranit, Ali Bagheri, në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Sameh Shoukry, shprehu mirënjohjen e tij për dërgimin e mesazheve ngushëlluese të zyrtarëve të lartë egjiptianë me rastin e martirizimit të presidentit të ndjerë Ajetollah Ebrahim Raisi dhe ministrit të ndjerë Dr. Hossein Amir-Abdollahian për qeverinë dhe popullin e Iranit.

Ali Bagheri, gjithashtu, vuri në dukje vazhdimin e krimeve të regjimit sionist në Gaza dhe shtrirjen e tyre në Rafah dhe shtoi: "Republika Islamike e Iranit bën thirrje për veprim kolektiv të vendeve islamike duke përdorur të gjitha kapacitetet e disponueshme, përfshirë edhe kapacitetin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, për të ndaluar gjenocidin e sionistëve në Gaza dhe për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave humanitare ndërkombëtare në këtë rajon."

Në këtë bisedë telefonike, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, i shprehu edhe një herë ngushëllimet e tij qeverisë dhe popullit iranian për vdekjen martire të presidentit të ndjerë Ajetollah Ebrahim Raisi dhe ministrit të ndjerë Dr. Hossein Amir-Abdollahian.

Ministri i Jashtëm egjiptian i cilësoi konstruktive diskutimet mes zyrtarëve të dy vendeve për rifillimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Ai kujtoi: "Përpjekjet e qeverisë egjiptiane në muajt e fundit kanë qenë për të ndalur luftën kundër Gazës dhe për të ofruar lehtësitë e nevojshme për dërgimin e ndihmave humanitare për popullin e Gazës."

Në fund, të dyja palët ranë dakord për vazhdimin e konsultimeve në lidhje me promovimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe konsultimet për të ndalur gjenocidin në Gaza dhe për të reduktuar vuajtjet e popullit palestinez.

 

Tags