Qershor 30, 2024 21:09 Europe/Tirane
  • Ministria e Jashtme e Palestinës kritikon Izraelin për vendosjen e taksave ndaj kishave të Kudsit

Ministria e Jashtme palestineze e ka kritikuar Izraelin se ka vënë në shënjestër komunitetin e krishterë në Palestinë, veçanërisht në Kuds, duke vendosur taksa në mënyrë të paligjshme ndaj kishave.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Mërgimtarëve të Shtetit të Palestinës, në një deklaratë të shtunën, shprehu dënimin e saj të fortë për masën e fundit të Izraelit për të vendosur taksa mbi kishat, institucionet dhe pronat e tyre në qytetin e pushtuar Kuds, përmes asaj që i referohet si “komunat e okupimit”.

Ministria theksoi se vendosja e këtyre taksave nga Izraeli është e paligjshme dhe se regjimi nuk ka sovranitet mbi qytetin Kuds, i cili i përket ekskluzivisht popullit palestinez dhe udhëheqjes së tij legjitime.

“Këto veprime janë një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar dhe “Status Quo”-së historike dhe ligjore të qytetit”, shtoi ministria.

"Këto masa të paligjshme perceptohen si pjesë e një strategjie më të gjerë të shfarosjes dhe spastrimit etnik që Izraeli po praktikon kundër të gjithë popullit palestinez, veçanërisht duke synuar praninë autentike të krishterë palestineze në Tokën e Shenjtë, veçanërisht në Kuds", tha ministria.

Ministria u kërkoi të gjitha kombeve që të mbështesin kishat dhe Shtetin e Palestinës, duke bërë thirrje për veprim për të ndaluar shkeljet serioze të së drejtës ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Status Quo-në e vendosur historike dhe ligjore.

Në fund, ministria bëri thirrje për marrjen e masave ndëshkuese ndaj praktikave provokuese dhe të paligjshme, duke theksuar nevojën që vendet të respektojnë parimet e tyre për mbrojtjen e pranisë autentike të krishterë në Tokën e Shenjtë të Palestinës.

Për më tepër, krerët e kishave të mëdha në Palestinë akuzuan autoritetet izraelite se kishin nisur një "sulm të koordinuar" ndaj pranisë së krishterë në Tokën e Shenjtë, duke nisur procedurat tatimore kundër tyre.

Popullsia e krishterë në Palestinë është një pakicë e vogël, që përbën më pak se 2% të popullsisë së përgjithshme në territoret e Palestinës dhe Izraelit. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ka 182000 të krishterë në tokat e pushtuara, 50000 në Bregun Perëndimor dhe Kuds, dhe 1300 në Gaza, shumica e të cilëve janë palestinezë.

Sipas Kishës Palestineze, rreth tre përqind e popullsisë së krishterë që jeton në Gaza është vrarë që nga fillimi i agresionit të Izraelit. Kjo, ndërkohë që trembëdhjetë kanë vdekur nga mungesa e ilaçeve, përfshirë shtatë fëmijë dhe të moshuar.

Kisha e Shën Porfirit, kisha më e vjetër në Gaza dhe e treta më e vjetra në botë, u shkatërrua nga sulmet ajrore izraelite vitin e kaluar, ku mbetën të vrarë të paktën 18 njerëz.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

 

Tags