Mars 24, 2023 08:09 Europe/Tirane
  • Demonstrata milionëshe në Francë; 123 policë u plagosën dhe 80 protestues u arrestuan

Burime të qeverisë franceze bënë të ditur se më shumë se një milion njerëz morën pjesë në protestat mbarëkombëtare kundër planit të pensioneve të qeverisë Macron dhe deri më tani gjatë këtyre protestave janë plagosur 123 policë dhe 80 protestues janë arrestuar.

Ministria e Brendshme franceze të enjten njoftoi se më shumë se një milion njerëz në një demonstratë mbarëkombëtare protestuan kundër reformës së pensioneve. Demonstrata u shoqërua me dhunë dhe forcat e policisë u përleshën me protestuesit dhe për t'i shpërndarë ata përdorën gaz lotsjellës. Në mes të protestave mbarëkombëtare ndërtesës komunale të Bordosë iu vu zjarri dhe protestuesit thyen xhamat e dyqaneve në qendër të Parisit për shkak të reformave të pensioneve. Agjencia France-Press gjithashtu njoftoi se kazanët e plehrave dhe kioskat e gazetave në rrugët e Parisit u dogjën. Sindikatat franceze u kanë bërë thirrje protestuesve të dalin në rrugë më 28 mars për demonstratën e 10-të mbarëkombëtare kundër reformës së pensioneve. Kryeministrja franceze Elizabeth Bourne javën e kaluar njoftoi se qeveria anashkaloi parlamentin dhe aktivizoi nenin 49.3 të kushtetutës dhe miratoi një plan që do të rriste moshën e pensionit nga 62 në 64 deri në vitin 2030. Ky veprim u prit me zemërim të gjerë publik dhe opozita u përpoq të përballte qeverinë me një votë mosbesimi, por qeveria franceze mundi t'i mbijetonte këtij votimi. Në një intervistë televizive 30-minutëshe, Macron përjashtoi shpërndarjen e parlamentit, riorganizimin e qeverisë së tij qendrore dhe dorëheqjen e kryeministres së tij, Elizabeth Bourne, siç kërkohet nga kundërshtarët dhe protestuesit. Ai tha se keqardhja e tij e vetme ishte se "nuk arriti t'i binde njerëzit për domosdoshmërinë e këtyre reformave".

Tags