Mars 28, 2024 10:39 Europe/Tirane
  • Ekspertja e OKB-së: Mora kërcënime dhe m'u kërkua të mos zbuloja informacione për gjenocidin e Izraelit

Një eksperte e të drejtave të njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara thotë se ajo ka marrë kërcënime gjatë mandatit të saj për përpilimin e një raporti për gjenocidin e Izraelit në Rripin e Gazës të rrethuar.

Francesca Albanese, Raportuesja Speciale për situatën e të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor dhe Gazën e pushtuar, tha të mërkurën se ishte kërcënuar gjatë kohës që po përgatiste një raport mbi aktet e gjenocidit të Izraelit në Gaza.

Raporti i saj, i titulluar "Anatomia e një gjenocidi", iu dorëzua të martën Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Izraeli tha se "e kundërshton plotësisht" raportin.

E pyetur nëse ka marrë kërcënime gjatë mandatit të saj, Albanese tha: “Po, kam marrë kërcënime. Asgjë që deri më tani ta kem konsideruar nevojë për masa paraprake shtesë. Presion?! Po, dhe kjo nuk ndryshon as angazhimin tim dhe as rezultatet e punës time.”

Ekspertja e OKB-së, e cila zbuloi se Izraeli kreu gjenocid, nuk elaboroi natyrën e kërcënimeve dhe as nuk tha se kush i kishte lëshuar ato.

“Ka qenë një kohë e vështirë”, tha Albanese. “Unë jam sulmuar gjithmonë, që nga fillimi i mandatit tim.”

Në raportin e saj, ajo tha se Izraeli shkeli tre nga pesë aktet e renditura në konventën ndërkombëtare të gjenocidit, duke paralajmëruar se shkalla dërrmuese e sulmeve të Izraelit në Gaza zbulon se regjimi synon të shkatërrojë fizikisht palestinezët si grup.

Sipas Albanese-s, lidershipi ekzekutiv dhe ushtarak i Izraelit si dhe ushtarët e tij kanë "përmbysur qëllimisht funksionet e tyre të mbrojtjes në një përpjekje për të legjitimuar dhunën gjenocidale kundër popullit palestinez".

"I vetmi konkluzion i arsyeshëm që mund të nxirret nga zbulimi i kësaj politike është" një politikë e nxjerrë nga Tel Avivi që synon "dhunë gjenocidale ndaj popullit palestinez në Gaza", tha ajo.

Të hënën, raporti kryesor i Albanese-s, i cili tashmë ka zemëruar Izraelin, u zbulua për publikun nga një grup pro-izraelit.

Në fund të dhjetorit, Afrika e Jugut ngriti një padi kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë se regjimi pushtues ka dështuar të mbajë angazhimet e tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.

Pretoria argumentoi se veprimet e Tel Avivit në Gaza që nga fillimi i fushatës brutale kanë qenë me karakter gjenocidal, sepse ato synojnë të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të grupit kombëtar, racor dhe etnik palestinez.

Në vendimin e saj të përkohshëm më 26 janar, gjykata e lartë e OKB-së vendosi se pretendimet e Afrikës së Jugut janë të besueshme, duke urdhëruar masa të përkohshme. Gjykata me seli në Hagë tha gjithashtu se regjimi izraelit duhet të ndërmarrë hapa për të parandaluar aktet gjenocidale dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.

Izraeli filloi fushatën e vdekjes dhe të shkatërrimit në Gaza më 7 tetor 2023, pasi lëvizja e rezistencës palestineze Hamas kreu Operacionin "Stuhia Al-Aksa" kundër entitetit uzurpues në shenjë hakmarrjeje për mizoritë e intensifikuara kundër popullit palestinez.

Që atëherë, regjimi ka vrarë të paktën 32,414 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur 74,787 të tjerë. Regjimi ka vendosur gjithashtu një rrethim të plotë në territor, duke ndërprerë karburantin, energjinë elektrike, ushqimin dhe ujin për më shumë se dy milionë palestinezë që jetojnë atje.

 

Tags