Prill 23, 2024 20:47 Europe/Tirane
  • Rusia do të intensifikojë sulmet ndaj depove të armëve perëndimore në Ukrainë

Rusia deklaroi se forcat e saj do të intensifikojnë sulmet mbi bazat e Ukrainës që strehojnë armë të furnizuara nga Perëndimi, pasi Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të transferuar shpejt armët amerikane në këtë vend.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha të martën se Rusia do të rrisë intensitetin e sulmeve në qendrat logjistike dhe në bazat e magazinimit të armëve perëndimore.

Ai tha se Moska e kishte zhbërë mitin e epërsisë së armëve perëndimore.

“Në proporcion me kërcënimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, ne do të vazhdojmë të përmirësojmë përbërjen dhe strukturën e Forcave të Armatosura dhe të rrisim prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake moderne”, tha ministri rus i Mbrojtjes.

Ukraina po pret miratimin e Senatit të SHBA për një paketë të re ndihme me vlerë rreth 61 miliardë dollarë pas një votimi nga Dhoma e Përfaqësuesve këtë fundjavë.

Në një mesazh në rrjetin social X, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Biden premtoi se Kievi mund të priste që armët e nevojshme të mbërrinin shpejt. Ai tha se Biden e siguroi atë se një paketë e ardhshme ndihme do të përfshinte gjithashtu raketa me rreze të gjatë dhe artileri.

 

Tags