Tetor 13, 2022 19:51 Europe/Tirane
  • Uniteti në pikëpamjen e Profetit të mëshirës (Speciale për përvjetorin e lindjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe Java e Unitetit-5)

Në ditën e fundit të Javës së Unitetit Islam iu ftojmë të na ndiqni programin special me rastin e përvjetorit të lindjes së Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s..

Bismil-lahi Rrahmani Rrahim. Në emër të Zotit të Profetit Muhamed s.a.v.s.. Ai është i cili na ka dhënë mirësi neve dhe na ka prezantuar të Dërguarin e vet dhe Ai i cili i ka shpall atij Kur'anin e shenjtë në mënyrë që të jetë udhëzim për të gjithë.

Përshëndetje për të gjithë besimtarët myslimanë në mbarë botën, përshëndetje për të gjithë ata të cilët janë të dashuruar në Profetin e nderuar të Islamit (a.s.) dhe përshëndetje për ju që në këto pak ditë, duke falënderuar Zotin për mirësinë e Tij të madh, ekzistencën e bekuar të Hazretit Muhamed s.a.v.s., në krye të punës dhe veprimtarisë tuaj, keni vendosur sloganin e bashkimit dhe unitetit dhe i jeni nënshtruar urdhrit të Zotit për të shmangur përçarjen. Gëzuar përvjetorin e lindjes së Hazretit Muhamed, vulës së profetëve dhe lajmëtarit të mëshirës dhe dashurisë mes njerëzve!

Pesëqind e shtatëdhjetë vjet pas lindjes së Hazretit Isa a.s., më 17 Rabiul-Evval të atij viti që u quajt “Viti i Elefantit”, bota ishte dëshmitare e një ngjarjeje të çuditshme. Të gjithë idhujt ranë me fytyrë për toke dhe u shkatërruan. Pallati i mbretit të dinastisë Sasanide, d.m.th "Ivan Kesra, pësoi një lëkundje të madhe dhe u shembën katërmbëdhjetë shtyllat e harkut të tij, liqeni rreth të cilit për vite me radhë mblidheshin adhuruesit e zjarrit, u tha dhe në një tokë ku askush nuk kishte parë ujë deri më tani, filluan të rridhnin lumenj. U shua  zjarri në Faltoren e Zjarrit në Persi në të cilën zjarri kishte qëndruar i ndezur për mijëra vjet, dhe u shfaq një dritë nga ana e Hixhazit, e cila u përhap në mbarë botën. E gjithë bota u ndriçua dhe djajtë u kapluan nga frika. Magjia e magjistarëve u zhvlerësua dhe dija e klerikëve pretendues u shndërrua në injorancë dhe asnjë mbret në atë ditë nuk mund të fliste. Përveç njerëzve të tokës, edhe krijesat e qiejve krijuan një ngjarje të paparë. Me urdhrin e Zotit, ata i dëbuan djajtë nga shtatë qiejt dhe ua ndaluan atyre të dëgjonin lajmet e qiejve. Në këtë ditë, të gjitha krijesat tokësore dhe qiellore, nga engjëjt e deri te kafshët tokësore e të detit, madje edhe pemët, gurët dhe dheu, e lavdëronin Zotin dhe të gjithë u gëzuan. Pikërisht në këtë kohë, lindi margaritari i rrallë i njerëzimit dhe e vendosi këmbën në tokë, në këtë ditë lindi krijesa më e mirë, prijësi i profetëve dhe të dashurve të Zotit, Muhamed bin Abdullahu, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të.

Pallati "Ivan Kesra" në Iran

 

Faltorja e zoroastrizmit në Persi

Zoti e bëri atë të dashur dhe të nderuar në mesin e njerëzve dhe e mbrojti nga dëmet dhe sulmet e çdo armiku derisa ai arriti përsosmërinë dhe arriti në moshën dyzetvjeçare. Zoti i madhëruar më pas ia zbriti dijen e të dy botëve nga thesari i sekreteve të botëve (Levhu Mahfudh) në zemrën e tij dhe e urdhëroi atë që t'i kumtojë të gjithë njerëzve shpalljen hyjnore të cilën e pranonte nga Zoti, dhe të zbulojë të vërtetën e botës dhe rrugën drejt lumturisë për të gjithë, dhe ai e kreu këtë mision hyjnor pa kurrfarë mangësie.

Për ta falënderuar Zotin për mirësitë të cilat ia ka dhuruar robërve të Tij dhe të cilat i ka përkryer nëpërmjet ekzistencës së bekuar të imamëve të pastër, ka disa ditë që ne po gëzohemi e po festojmë së bashku me të gjitha krijesat tokësore dhe qiellore dhe po përpiqemi që ta njohim sa më mirë këtë mirësi të madhe hyjnore. Për ta falënderuar Zotin në mënyrë sa më të merituar për mirësinë që na ka dhuruar neve, është e nevojshme që ne së pari ta njohim sa më mirë këtë mirësi. Njohje e kësaj mirësie të madhe varët nga njohja e drejtë dhe e vërtetë e fesë Islame. Feja Islami ka parime parësore dhe sekondare dhe besimtari myslimanë e ka për obligim që t'i njehë sa më mirë këto parime, mirëpo në disa hadithe të transmetuar nga Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dhe nga imamët e pastër (a.s.), disa prej këtyre elementëve dhe parimeve janë prezantuar si shtylla të fesë së pastër Islame. Në disa burime të shkollës sunite të fesë Islame, thuhet se Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. pesë parime i konsideronte si shtylla të fesë së pastër Islame: besimi në një Zot, besimi në profetësi, namazi, zekati, haxhi dhe agjërimi i muajit të ramazanit. Shejkh Kelini që konsiderohet një prej dijetarëve më të mëdhenj të shkencës së hadithit të shkollës shiite të fesë Islame, ka transmetuar nga Imam Xhafer Sadik (a.s.) i cili ka thënë: "Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: namazi, zekati, agjërimi, haxhi, dhe vilajeti (autoriteti fetar), ndërsa rëndësia e vilajetit (autoritetit fetar) është më e madhe". Gjithashtu Imam Xhafer Sadik (a.s.) parime të tilla si dëshmia e njëshmërisë së Zotit, besimi në profetësinë e Profetit Muhamed s.a.v.s. dhe pranimi i vërtetësisë së të gjithë asaj që është shpallur nga ana e Zotit, pagimi i zekatit si dhe pranimi i vilajetit të Ehli Bejtit (a.s.) (si autoritet fetar); i konsideron prej parimeve dhe shtyllave që pa pranimin e të cilave, nuk i pranohet feja askujt.

Zoti i madhëruar në Kur'anin e shenjtë thekson se bashkimi dhe uniteti bëhet shkak për ngritjen dhe prosperitetin e shoqërisë islame ndërsa përçarja shkakton vetëm dekadencën dhe shkatërrimin e saj. Prandaj, në mësimet e Kur'anit të shenjtë, uniteti islam është një prej obligimeve dhe detyrave më të rëndësishme. Zoti i madhëruar në ajetin 103 të sures Ali Imran në Kur'anin e shenjtë, në atë pjesë ku thotë:

«واعتصَموا بِحَبل الله جَمیعاً ولاتَفرّقوا»

"Të gjithë kapuni për litarin e Zotit dhe mos u përçani mes vete!", në realitet u bënë thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë të punojnë për uniteti dhe njëkohësisht i ka ndaluar ata nga përçarja dhe ndarje. Në këtë ajet kur'anor, dashuria dhe vëllazëria mes myslimanëve është konsideruar një çështje shumë e rëndësishme dhe prej mirësive hyjnore, mirëpo përçarja dhe armiqësia është konsideruar një mëkat të cilin nuk duhet ta kryejnë besimtarët myslimanë.

Shoqëria islame në brendësinë e vet përmban tre elementet përbërës të unitetit. Qëllimi dhe besimi i përbashkët i të gjithë besimtarëve myslimanë, ngritja e thirrjes për besim në një Zot në të gjithë botën dhe të gjithë besimtarët myslimanë, shi'itë dhe sunitë pajtohen në këtë parim se Kur'ani i shenjtë është programi dhe rruga e vetme për realizimin e këtij qëllimi dhe më e rëndësishmja është kjo që të gjithë besimtarët myslimanë e pranojnë dhe e besojnë Profetin Muhamed s.a.v.s. si udhëzues dhe udhëheqës së tyre. Në bazë të kësaj, uniteti i Umetit Islam gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes së udhëheqësve të shkollave shi'ite dhesunite.

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. gjithnjë i ka urdhëruar besimtarët myslimanë për forcimin e unitetit dhe vëllazërisë. Hazreti Muhamed s.a.v.s. në një rast ka thënë: "Nënshtrojuni sunduesve hyjnor dhe dëgjojini urdhrat e tyre, sepse nënshtrimi ndaj urdhrave të udhëheqjes është forcim i unitetit të Umetit Islam". Nga pikëpamja e Hazretit Muhamed s.a.v.s., besimtarët myslimanë ndaj njëri-tjetrit duhet të jenë sikur shtyllat e një ndërtese të qëndrueshme të cilët e forcojnë njëri-tjetrin. Hazreti Muhamed s.a.v.s. e konsideron unitetin si shkak për zbritjen e mëshirës kurse përçarjen e konsideron shkak të zbritjes së dënimit hyjnor.

Gjithashtu, nga pikëpamja e Imam Aliut (a.s.), pozita e udhëheqësit në shoqërinë islame është sikur një zinxhir i cili i lidh hallkat me njëra tjetrën. Atëherë kur ky zinxhir këputet, hallkat shpërndahen dhe kurrë nuk mund të mblidhen të gjitha ato hallka. Imam Aliu (a.s.) ua kujton besimtarëve myslimanë gjendjen e popullit Beni Israil dhe thotë: "Shikoni se si ka qenë populli Beni Israil, atëherë kur ishin mbledhur turmat, ishin bashkuar mendimet dhe zemrat e njerëzve, duart e ndihmonin njëra-tjetrën dhe shpatat e mbështesnin njëra-tjetrën, shikimet ishin bërë të thella dhe vendimet ishin bërë të njëjta; atëherë a nuk kishin ata qytete të mëdha rreth e rrotull dhe a nuk sundonin botën ata?! Por, shikojeni edhe fundin e punës së tyre! Atëherë kur hyri përçarja e mosmarrëveshja mes tyre dhe atëherë kur u prish dashuria dhe solidariteti mes tyre, ndryshuan edhe fjalët edhe zemrat e tyre, ata u bënë grupe-grupe dhe filluan të luftojnë me njëri-tjetrin, u ndanë e luftuan mes vete. Prandaj, Zoti i madhëruar hua hoqi rroba e madhështisë nga trupi i tyre dhe ua ndali furnizimin me mirësitë e shumta dhe e gjithë ajo që ka mbetur nga ata, është vetëm e kaluara historike e tyre në mënyrë që të bëhet mësim për të tjerët për ata të cilët marrin mësim".

Ajo për të cilën tërheqin vërejtjen të gjithë profetët dhe të dashurit e Zotit, është një traditë prej traditave hyjnore që Zoti i madhëruar në ajetin 43 të sures Fatir në Kur'anin e shenjtë ka premtuar se nuk ekziston asnjë ndryshim dhe asnjë shndërrim në atë.

«.... فَلَن تَجِدَ لِسُنَّتِ اللَّهِ تَبْدِیلًا وَلَن تَجِدَ لِسُنَّتِ اللَّهِ تَحْوِیلًا»

"...Në traditën e Zotit nuk mund të gjesh shndërrim dhe në traditën e Zotit nuk mund të gjesh ndryshim". Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. gjithashtu duke vë në dukje këtë traditë hyjnore, ka thënë: "Mos bëni përçarje! Ata të cilët kanë qenë para juve, kanë bërë përçarje e mosmarrëveshje dhe janë shkatërruar". Prandaj, çdo besimtar mysliman i cili kërkon madhështinë dhe krenarinë e Islamit, duhet t'i qëndrojë besnikë unitetit dhe parimeve të tij. Çështja e unitetit është aq e rëndësishme sa që Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s largimin nga ky parim e ka konsideruar si shkak për largimin nga Islami dhe ka thënë: "Secili besimtar mysliman i cili largohet vetëm një pëllëmbë nga shoqëria e myslimanëve, Zoti i madhëruar ia heq qaforen e myslimanizmit atij nga qafa". Prandaj, miq të nderuar, ejani dhe duke ruajtur unitetin dhe solidaritetin dhe duke u larguar nga përçarja dhe ndarja në grupe të ndryshme, të falënderojmë Zotin për mirësinë e Islamit dhe ta gëzojmë zemrën e Profetit Muhamed s.a.v.s., ashtu sikur që Zoti i madhëruar me krijimin e tij, e ka gëzuar të gjithë botën.

Tags