Shkurt 29, 2024 20:04 Europe/Tirane
  • Parlamenti Evropian: Të ndërmerren masa ndaj Serbisë nëse rezulton se është përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për zbatimin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian në vitin 2023, në të cilën shprehu shqetësimin për refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe ndikimin destabilizues të autoriteteve serbe në rajon.

Në rezolutë, ftohen Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së të marrin masa ndaj autoriteteve serbe nëse rezulton se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës në shtator 2023 dhe në dhunën që shpërtheu në Kosovë në maj të atij vitit, “ose nëse autoritetet serbe refuzojnë të bashkëpunojnë plotësisht”.

Siç shkruan “N1”, në rezolutë, eurodeputetët shprehin shqetësim serioz edhe për deklaratën e Presidentit të Serbisë në të cilën ai mbështeti një ndërhyrje të mundshme ushtarake të Kinës kundër Tajvanit në shkurt, në kundërshtim me politikën e BE-së, e cila mbron ‘status quo'-në në ngushticën e Tajvanit dhe kundërshton çdo lëvizje të njëanshme, veçanërisht ato ushtarake.

Në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, kërkohet që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë duke e hequr përdorimin e vetos për vendet anëtare.

 

Tags