Qershor 24, 2024 11:32 Europe/Tirane
  • Irani dhe Bahreini bien dakord për fillimin e negociatave për rifillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

Diplomatët e lartë të Iranit dhe Bahreinit ranë dakord për vendosjen e mekanizmave të nevojshëm për të nisur dialogun midis dy vendeve për të shqyrtuar se si të rifillojnë marrëdhëniet politike.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, pas takimit në Teheran të dielën pasdite ndërmjet ministrit të Jashtëm në detyrë të Iranit Ali Bagheri dhe ministrit të Jashtëm të Bahreinit Abdullatif Bin Rashid al-Zayani, të dy palët lëshuan një deklaratë të përbashkët dhe ranë dakord të ndërmarrin hapa drejt rivendosjes së marrëdhënieve.

Al-Zayani ka udhëtuar drejt Iranit për të marrë pjesë në takimin e “Dialogut të Bashkëpunimit Aziatik”, që po mbahet në Teheran.

Më herët, në takime të veçanta me presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin kinez Li Qiang, mbreti i Bahreinit, Hamad Bin Isa Al Khalifa, njoftoi dëshirën e Manamas për të rivendosur marrëdhëniet me Teheranin, dhe Irani e mirëpriti këtë qëndrim.

Në këtë deklaratë të përbashkët thuhet se “në kuadër të marrëdhënieve historike vëllazërore ndërmjet Mbretërisë së Bahreinit dhe Republikës Islamike të Iranit dhe në kuadër të lidhjeve fetare, të fqinjësisë, të historisë së përbashkët dhe interesave të ndërsjella mes dy vendeve”, Bagheri dhe al-Zayani mbajtën një takim dypalësh.

Gjithashtu, në vazhdim të kësaj deklarate thuhet: “Në këtë takim, të dyja palët ranë dakord për vendosjen e mekanizmave të nevojshëm për fillimin e dialogut mes dy vendeve, për të shqyrtuar mënyrën e rifillimit të marrëdhënieve politike e diplomatike mes dy vendeve."

 

Tags