Prill 10, 2024 20:50 Europe/Tirane
  • Izraeli bllokon GPS-në në qytetet kryesore nga frika e një sulmi të mundshëm iranian

Ushtria e regjimit sionist ka ndërprerë sinjalet GPS në një numër qytetesh, duke përfshirë zonën metropolitane të Tel Avivit dhe Kudsit, në një përpjekje për të penguar sulmet e mundshme me raketa ose dronë, të gjuajtura nga Irani ose nga grupet e rezistencës me bazë në vende të caktuara në rajon.

Sipas një raporti të kanalit amerikan CNN, bllokimi ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në jetën e përditshme të banorëve në zonat metropolitane, duke shkaktuar zhgënjim në të gjithë Izraelin. Banorët që përdorin aplikacione hartash si Google Maps ose Waze për të lëvizur nëpër Tel Aviv thanë se aplikacionet e tyre treguan se ishin në kryeqytetin libanez Bejrut, ose Kajro në Egjipt.

Bllokimi ishte më rëndë javën e kaluar, por vazhdon në mënyrë sporadike këtë javë. Izraeli ka qenë në gatishmëri të lartë që nga sulmi i tij në seksionin konsullor të ambasadës iraniane në Damask, duke nxitur një premtim për hakmarrje nga Irani.

Një ekspert në Qendrën për Politikë Ndërkombëtare në Uashington ka paralajmëruar se disa dronë iranianë nuk bllokohen lehtë. "Bllokimi i tillë i gjerë i GPS në Izrael duket se pasqyron mungesën e besimit të izraelitëve në efektivitetin e sistemeve të tyre të mbrojtjes kundër raketave dhe dronëve," tha eksperti.

 

Tags