Qershor 04, 2022 08:10 Europe/Tirane
  • Akuza të rreme kundër Iranit; Pakënaqësia e sauditëve me zhvillimin e marrëdhënieve të Iranit me anëtarët e Këshillit të Bashkëpunimit

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik bënë edhe një herë katër deklarata akuzuese kundër Republikës Islamike të Iranit.

Anëtarët e këshillit akuzuan Iranin për pushtimin e tre ishujve dhe i bënë thirrje Iranit që t'i përmbahet parimit të fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të vendeve. Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare akuzuan gjithashtu Iranin për ndërhyrje në punët e vendeve të tyre.  Përveç kësaj, këto vende akuzuan edhe një herë Republikën Islamike të Iranit për gjoja mbështetjen e terrorizmit, si dhe kërcënimin e sektorit të lundrimit.  Anëtarët e Këshillit gjithashtu bënë dy kërkesa: nga njëra anë, ata bënë thirrje për pjesëmarrje në bisedimet bërthamore dhe nga ana tjetër, ata i kërkuan Iranit t'i japë fund programit të tij raketor. Këshilli i Bashkëpunimit i bëri thirrje Republikës Islamike të Iranit që t'i përmbahet parimit të fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të vendeve, por pretendimi i këtij këshilli, veçanërisht i Emirateve të Bashkuara Arabe, për tre ishujt është në kundërshtim me parimin e fqinjësisë. Të tre ishujt, sipas të gjitha dokumenteve në dispozicion, janë pjesë përbërëse e integritetit territorial të Republikës Islamike të Iranit. Deklarata të tilla, siç tha Saeed Khatibzadeh, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, janë ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit dhe nuk kanë dhe nuk do të kenë asnjë ndikim në faktet ekzistuese ligjore dhe historike. Nga ana tjetër, akuzimi i Republikës Islamike të Iranit për gjoja ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve dhe mbështetje ndaj terrorizmit është gjithashtu një pretendim i rremë dhe në kundërshtim me parimin e fqinjësisë së mirë. Ky pretendim vjen në një kohë kur Arabia Saudite që nga viti 2011 duke pushtuar Bahrejnin dhe që nga viti 2015duke pushtuar Jemenin ka privuar popullin e Bahrejnit dhe të Jemenit nga e drejta e tyre për vetëvendosje.  Prandaj, janë anëtarët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik, veçanërisht vendet si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ata të cilët duhet të rishikojnë modelin e tyre të sjelljes ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe të përmbahen në principin e fqinjësisë së mirë. Një çështje tjetër është se bisedimet bërthamore iraniane nuk kanë të bëjnë fare me çështjet rajonale, por ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis këtyre bisedimeve dhe çështjes së sanksioneve shtypëse kundër Republikës Islamike të Iranit.  Asnjë nga këto shtete anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik nuk mund të marrë pjesë në negociata të tilla, sepse programi bërthamor i Iranit në thelb është paqësor dhe nuk ka të bëjë fare me çështjet rajonale. Anëtarët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik kanë bërë thirrje për t'i dhënë fund programit raketor të Iranit në një kohë kur Arabia Saudite, importuesi më i madh i armëve në botë, është bërë arsenali më i madh i armëve amerikane dhe perëndimore.  Arabia Saudite ka buxhetin më të lartë ushtarak në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Riadi po bën thirrje për t'i dhënë fund programit raketor të Iranit, i cili në thelb ka doktrinë parandaluese dhe mbrojtëse për Republikën Islamike të Iranit dhe pavarësisht bombardimeve të përditshme të Arabisë Saudite ndaj Jemenit, armët iraniane nuk janë përdorur kundër asnjë vendi në rajon. Duket se deklarata e përsëritur e anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik kundër Iranit është më së shumti për shkak të pakënaqësisë së Arabisë Saudite për zgjerimin e marrëdhënieve me Katarin dhe Omanin, që janë anëtarë të këtij këshilli. Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Saeed Khatibzadeh, tha: "Lëshimi i deklaratave të tilla klishe me sa duket synon neutralizimin e rezultateve të lëvizjeve diplomatike të Republikës Islamike të Iranit me fqinjët, duke përfshirë disa vende mike dhe partnere që janë vende anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik”.  Gjithashtu, akuzat e bëra nuk janë qëndrim i të gjithë anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik. Vizita e fundit e Sejed Ibrahim Raisi në Katar dhe Oman dhe mikpritja e pushtetarëve të këtij vendi për presidentin e Republikës Islamike të Iranit, e vërteton qartë këtë çështje. Padyshim, strategjia kryesore e politikës së jashtme të Republikës Islamike të Iranit, siç është deklaruar dhe ndjekur vazhdimisht në praktikë, është bisedimi me vendet e rajonit për uljen e tensioneve, ndërveprimi dhe bashkëpunimi me vendet islamike, veçanërisht vendet fqinje dhe zhvillimi i marrëdhënieve me këto vende.

Tags