Shkurt 11, 2024 18:19 Europe/Tirane

Aspekti më i rëndësishëm i dallimit të Revolucionit Islamik në krahasim me revolucionet e tjera, ishte të qenit islamik dhe fetar i këtij revolucion.

Revolucioni i cili ndodhi në shkurt të vitit 1979 (Bahan i vitit 1357) në Iran, ka krijuar ndryshime dhe zhvillime të rëndësishme të cilat përveç në Iran, kanë ushtruar ndikim edhe mbi vendet e tjera. Aspekti më i rëndësishëm i dallimit të Revolucionit Islamik në krahasim me revolucionet e tjera, ishte të qenit islamik dhe fetar i këtij revolucion. Me padyshim, Imam Khomejni (ra), lideri i madh dhe popullor i Revolucionit Islamik të Iranit, si një dijetar fetar dhe thirrës i madh për zbatimin e mësimeve të Islamit, ka luajtur një rol me ndikim shumë të madh në drejtimin fetar dhe spiritual të Revolucionit Islamik. Imam Khomejni kishte ndikim dhe reputacion aq të madh në mesin e popullit të Iranit sa që udhëzimet e tij i kanë pranuar me shpirt e zemër dhe i zbatonin ato në përpikëri. Ky reputacion dhe kjo besnikëri ndaj udhëheqësit të Revolucionit Islamik të Iranit u manifestua në mënyrën më të mirë me rastin e pritjes në nivel të gjerë dhe të paharruar të popullit iranian ndaj Imam Khomejnit kur ai arriti në Iran më 12 bahman të vitit 1357 të kalendarit iranian që përkon me 1 shkurt të vitit 1979, dhe kjo besnikëri ka vazhduar deri në fund të jetës së tij. Në kohën kur ky udhëheqës i urtë dhe popullor, deklaroi se themelet e revolucionit janë vlerat islame, qytetarët iranianë të cilët ishin të njohur me këto mësime të ndritshme dhe plotë me spiritualitet dhe në historinë e tyre kishin të kaluarën e shkëlqyer të civilizimit islam, shumë shpejtë i pranuan ato parime. Në këtë mënyrë, pas fitores së Revolucionit Islamik të Iranit, shpirti i mësimeve humaniste të Islamit sundoi mbi atmosferën e shoqërisë së Iranit dhe në këtë mënyrë filluan të krijohen kushtet për zhvillimin dhe përkryerjen shpirtërore dhe morale të popullit iranian.

Marshi i 22 Bahmanit

Populli mysliman i Iranit kërkoi ndërtimin e shoqërisë dhe sistemit politik shtetëror në bazë të vlerave fetare dhe spiritualë në kohën kur në Perëndim, me propagandën e gjerë të mediave, kishte marrë hov arratisja e njerëzve nga feja, degjenerimi seksual dhe dekadenca morale. Mirëpo Revolucioni Islamik i Iranit ishte një lëvizje hyjnore dhe fetare në përballje me këtë lëvizje të gabuar dhe në kundërshtim me natyrën qenësore të njeriut dhe pikërisht për këtë arsye, ka ngjallur irritimin dhe zemërimin e shteteve perëndimore. Prirjet e popullit të Iranit pas fitores së Revolucionit Islamik, sidomos prirjet e të rinjve u rriten drejt veprimeve adhuruese fetare dhe drejt përmbajtjes së parimeve morale. Në realitet, populli i Iranit pas shumë viteve që ishte përballur me propagandën e gjerë antifetare të regjimit mbretëror Pahlavi, përsëri e gjeti identitetin e vet fetar. Nga ana tjetër, bindja e qytetarëve iranianë në vlerat burimore islamike me udhëzimet e Imam Khomejnit (ra) dhe prijësve të tjerë të fesë, si dhe me publikimin e librave fetare dhe me veprimtaritë artistike fetare, u thellua më shumë dhe në këtë mënyrë qytetarët iranianë me informim dhe vetëdijesim më të lartë, filluan të zbatojnë mësimet e fesë Islame. Në këto rrethana, xhamitë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në shfaqjen dhe manifestimin e vlerave islame në Revolucionin Islamik të Iranit. Gjatë zhvillimeve të Revolucionit Islamik, këto vende të shenjta ishin qendra ku organizoheshin tubimet e revolucionarëve dhe vende ku shkëmbeheshin informacione dhe ku bëheshin programe për zhvillimin e veprimtarisë revolucionare kundër regjimit mbretëror Pahlavi. Këto xhami pas fitores së Revolucionit Islamik, gjithashtu me praninë e gjerë të qytetarëve iranianë morën një zhvillim të ri dhe u bënë qendra për ringjalljen dhe përhapjen e ritualeve të ndryshme fetare si organizimin e namazit me xhemat, programeve për leximin e Kur'anit të shenjtë, organizimin e ceremonive të lutjeve dhe ritualeve të tjera kolektive. Përveç kësaj, të rinjtë iranianë me plotë entuziazëm revolucionar, në vazhdim i shndërruan xhamitë në qendra për kryerjen e aktiviteteve kulturore dhe për të ndihmuar shtresat e varfra.

Përvjetori i fitores së Revolucionit Islamik

Me sulmin e ushtrisë së Sadam Husejnit kundër territorit të Iranit në vitin 1980, xhamitë kanë kryer edhe detyrën për përgatitjen e luftëtarëve të rinj dhe dërgimin e tyre në frontin e luftës si dhe për mbledhjen e ndihmave popullore dhe dërgimin e tyre nëpër fronte të luftës. Nga ana tjetër, gradualisht disa funksione të xhamisë u bënë më të dalluara dhe si rezultat u shtua edhe më shumë entuziazmi i njerëzve për të qenë të pranishëm në ambientet e xhamive që një prej këtyre funksioneve ishte pjesëmarrja e besimtarëve në ritualin e I'tikaf-it. Në këtë ceremoni fetare që ushqenin shpirtit e besimtarëve, njerëzit gjatë qëndrimit tre ditor në xhami, bëjnë agjërim dhe duke kryer namaz dhe duke bërë lutje pranë Zotit të madhëruar, krijojnë lidhje me të afërt me Krijuesin e gjithësisë. Mirëpo kulmi i prirjeve spirituale sidomos në mesin e të rinjve, është shënuar gjatë zhvillimit të mbrojtjes së lavdishme të Iranit për tetë vite përball agresionit ushtarak të ish-regjimit Ba'th të Irakut nga viti 1980 deri në vitin 1988. Në frontet e luftës, luftëtarët iranianë duke u mbështetur te Zoti dhe duke ndjekur udhëzimet e Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe të Ehli Bejtit (a.s.), luftonin në mbrojtje të vendit dhe aspironin për martirizim në këtë rrugë. Ky moral i lartë ishte rezultat i kryerjes së adhurimeve me sinqeritet dhe vetëndrtimin e tyre në prapaskenën e fronteve të luftës, gjë që i shndërroi ata në luftëtarë të devotshëm, trima dhe kërkues të së vërtetës.

Përvjetori i fitores së Revolucionit Islamik

Një tjetër manifestim i zgjerimit të prirjeve spirituale pas fitores së Revolucionit Islamik në Iran, është pjesëmarrja e gjerë e popullit iranian në hapësirat mauzoletë e imamëve ma'sum (a.s.) dhe të pasardhësve të tyre për kryerjen e ritualeve fetare dhe për të zhvilluar më shumë aspektin shpirtëror. Myslimanët iranianë gjithashtu të merrnin pjesë në nivel të gjerë edhe në ceremonitë festive të përvjetorëve të lindjes dhe në ceremonitë e zimbajtjes me rastin e përvjetorit të martirizimit të pjesëtarëve të Ehli Bejtit (a.s.) të cilat për çdo vit zhvilloheshin në nivel më të gjerë, dhe në këtë mënyrë ata kërkojnë të fitojnë kënaqësinë e Zotit dhe afrimin pranë Tij. Një prej mënyrave më të mëdha për të manifestuar këtë dashuri ndaj këtyre prijësve të mëdhenj të fesë, është pjesëmarrja e miliona iranianëve në ceremoninë e marshit madhështor të Arbainit të Imam Husejnit (a.s.) në Irak që zhvillohet në kuadër të zimbajtjes për martirizimin e Imam Husejnit (a.s.). Kështu që mund thuhet se populli mysliman i Iranit me fitoren e Revolucionit Islamik, arriti në një perceptim të ri dhe të thellë për fenë dhe në këtë mënyrë janë krijuar plotësisht kushtet dhe rrethanat për zhvillimin e aspektit shpirtëror dhe të virtyteve të larta morale.

 

Tags