Janar 16, 2024 08:14 Europe/Tirane
  • Ministri i Jashtëm iranian: Sulmet ilegale të SHBA-së dhe Britanisë ndaj Jemenit mund të përshkallëzojnë tensionet

Ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amir-Abdollahian i ka thënë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara se agresioni i SHBA-së dhe Britanisë kundër Jemenit çon në përshkallëzimin e tensioneve në rajonin e Azisë Perëndimore.

Amir-Abdollahian në një telefonatë me Antonio Guterres të hënën i përshkroi veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë kundër Jemenit si të paligjshme si dhe gabim strategjik.

Diplomati i lartë iranian dhe shefi i OKB-së diskutuan dhe shkëmbyen mendime gjithashtu mbi nevojën për të ndaluar krimet e regjimit izraelit në Gaza dhe zhvillimet e fundit në Detin e Kuq.

Duke vlerësuar përpjekjet dhe qëndrimin e Guterres, veçanërisht thirrjen e tij për të ndaluar vrasjen e civilëve në Gaza, Amir-Abdullahian theksoi edhe një herë nevojën për t'i dhënë fund sulmit izraelit në Gaza dhe shprehu gatishmërinë e Iranit për të dërguar ndihma humanitare për popullin e rrethuar palestinez.

Sa i përket Detit të Kuq, ministri i jashtëm iranian sqaroi pozicionin parimor të Iranit për ruajtjen e sigurisë së anijeve dhe transportit detar, por nënvizoi se veprimet e ushtrisë jemenase kundër anijeve të operuara nga Izraeli kanë për qëllim ndalimin e krimeve dhe gjenocidit të regjimit sionist në Gaza.

Gjatë kësaj bisede telefonike, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dënoi edhe një herë luftën në Gaza dhe theksoi nevojën për të ndalur kaosin dhe lejimin e ndihmave humanitare në rripin e bllokuar palestinez.

Antonio Guterres preku edhe zhvillimet e fundit në Detin e Kuq dhe shprehu shqetësimin për përhapjen e konflikteve në rajon. Ai tha se përpjekjet e Kombeve të Bashkuara synojnë të ndalojnë luftën dhe të minimizojnë vuajtjet e njerëzve në rajon.

Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve që t'i kushtojnë vëmendje Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të qëndrojnë larg luftës. Ai gjithashtu i bëri thirrje Republikës Islamike të Iranit që të ndihmojë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

 

Tags