Qershor 04, 2024 20:46 Europe/Tirane
  • Ministri i Jashtëm në detyrë i Iranit takohet me Presidentin Assad në Damask

Ministri i Jashtëm në detyrë i Iranit, Ali Bagheri Kani është takuar në Damask me Presidentin e Sirisë Bashar al-Assad.

Të dy palët diskutuan një gamë të gjerë çështjesh gjatë takimit të martën, duke përfshirë krizën në Rripin e rrethuar të Gazës si dhe nevojën për t'u dhënë fund krimeve të Izraelit kundër popullit palestinez.

Bagheri Kani ndodhet në Siri në fazën e dytë të turneut të tij rajonal pas vizitës në Liban. Ai tha se një nga qëllimet kryesore të turneut të tij rajonal është të rrisë koordinimin midis grupeve të rezistencës në konfrontimin e tyre me Izraelin.

Bagheri Kani tha se marrëdhëniet që lidhin dy vendet do të mbeten thellësisht të rrënjosura dhe strategjike pasi ato kanë qenë gjithmonë të bazuara në parime të qëndrueshme dhe në interesa të përbashkëta.

Gjatë takimit, Assad përsëriti se rezistenca ndaj pushtimit në të gjitha format e tij është një parim themelor dhe një zgjedhje strategjike pasi rezistenca ka qenë gjithmonë rruga e duhur në përballjen me pushtuesit.

“Saherë që okupatori i afrohet dështimit të tij përballë qëndrueshmërisë së rezistencës, ai intensifikon dhunën e tij të përgjakshme”, tha presidenti sirian.

Më herët gjatë ditës, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij sirian Faisal Mekdad, diplomati i lartë iranian tha se Izraeli është shkaku kryesor i destabilitetit në rajon.

“Udhëtimi im mbart mesazhin se Republika Islamike e Iranit, ashtu si në të kaluarën, qëndron pranë rezistencës dhe kundër sionistëve”, tha Bagheri Kani.

Ai tha se Irani dhe Siria janë aleatë të ngushtë dhe konsiderohen si shtyllat kryesore të stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

 

Tags