Qershor 09, 2024 10:57 Europe/Tirane
  • Zhvillimi i marrëdhënieve Teheran-Islamabad dhe Çështja Palestineze, në qendër të takimit mes Bagherit dhe ministrit të jashtëm të Pakistanit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit diskutuan dhe shkëmbyen mendime mbi trendin në rritje të marrëdhënieve ndërmjet Teheranit dhe Islamabadit dhe mbi disa çështje me interes të përbashkët në rajon, veçanërisht për Çështjen Palestineze.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Ali Bagheri, në vazhdim të takimeve dhe konsultimeve në qytetin e Stambollit dhe në margjinat e takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Tetë Vendeve në Zhvillim (D-8), diskutoi dhe shkëmbeu mendime me ministrin e Punëve të Jashtme të Pakistanit, Mohammad Is'haq Dar.

Në këtë takim, Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Iranit vlerësoi ndjenjat e sinqerta të qeverisë dhe të popullit të Pakistanit në momentin e vështirë pas martirizimit të presidentit të ndjerë dhe ministrit të Jashtëm të ndjerë të Iranit.

Në këtë takim, ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit, Mohammad Is'haq Dar, nderoi kujtimin e presidentit martir Raisi dhe të ministrit të jashtëm të Iranit Amir-Abdollahian, duke iu referuar vizitës së rëndësishme të presidentit të ndjerë Ebrahim Raisi në Pakistan dhe theksoi vullnetin serioz të autoriteteve të vendit të tij për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë asaj vizite.

Gjithashtu, Mohammad Is'haq Dar dhe Ali Bagheri në këtë takim theksuan vazhdimin e takimeve dhe konsultimeve të ngushta ndërmjet dy palëve për të ndjekur çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe konsultimet në arenën rajonale dhe atë ndërkombëtare për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e popullit palestinez në forumet ndërkombëtare.

Takimi i jashtëzakonshëm i Grupit të Tetë Vendeve Islamike në Zhvillim, i njohur si D-8, ka nisur punimet mëngjesin e djeshëm me praninë e ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, Ali Bagheri-Kani, në Pallatin historik Dolma Bahçe në Stamboll.

 

Tags