Prill 25, 2024 09:45 Europe/Tirane
  • Jerusalem Post: Hezbollahu e ktheu qytetin Kiryat Shmona në një qytet fantazmë

Gazeta sioniste “Jerusalem Post”, duke iu referuar sulmeve të Hezbollahut të Libanit ndaj qyteteve e qytezave sioniste dhe pozicioneve të ushtrisë së regjimit sionist në brezin kufitar verior të Palestinës së pushtuar ka shkruar: "Qyteti Kiryat Shmona është kthyer në një qytet fantazmë".

Sipas raportit të së mërkurës të agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, gazeta Jerusalem Post theksoi se pas sulmeve të forcave të Rezistencës Islamike të Libanit, qyteti sionist Kiryat Shmona, qendra më e madhe e popullsisë në veri të Palestinës së pushtuar u evakuua pas 7 tetorit 2023, duke shtuar: "Me vazhdimin e operacioneve të Rezistencës Islamike të Libanit në mbështetje të Frontit të Rripit të Gazës dhe përgjigjes së Hezbollahut ndaj sulmeve të regjimit izraelit në Libanin jugor, Kiryat Shmona është kthyer në një qytet fantazmë".

Duke vënë në dukje se nuk ka forca emergjence në qytetin Kiryat Shmona, Jerusalem Post shkroi: "Trafiku në këtë qytet është aq i ulët, saqë Bashkia ka fikur semaforët dhe në të është aktiv vetëm një supermarket, i cili mbyllet rreth mesditës dhe ujqërit dhe kafshët e egra enden në këtë qytet gjatë natës".

Duke theksuar se shumica e sionistëve të shpërngulur nga Kiryat Shmona kanë vendosur të mos kthehen më në këtë qytet, kjo gazetë shtoi se sa më shumë të zgjasë pasiguria në lidhje me konfliktin me Libanin, aq më të mëdha janë gjasat që sionistët të largohen përgjithmonë nga ky qytet.

Kjo gazetë zbuloi se për shkak të lëshimit të përditshëm të raketave nga Libani, kabineti i regjimit izraelit ka evakuuar 43 zona brenda pesë kilometrave nga kufiri me Libanin, duke filluar nga Deti Mesdhe në perëndim deri në Lartësitë e pushtuara të Golanit në lindje. Jerusalem Post shtoi se kjo çoi në krijimin e një zone sigurie brenda territoreve të pushtuara palestineze përgjatë gjithë kufirit verior.

Sipas kësaj gazete, më shumë se 60,000 sionistë janë zhvendosur nga veriu i Palestinës së pushtuar dhe aktualisht jetojnë në hotele, me të afërm apo me miq ose në shtëpi me qera.

Jerusalem Post vuri në dukje se zyrtarët e kabinetit të regjimit izraelit u kanë thënë krerëve të qyteteve dhe qytezave veriore në Palestinën e pushtuar se për shkak të tensionit të vazhdueshëm dhe mundësisë së një konflikti të madh, shkollat ​​mund të mos hapen për vitin e ardhshëm shkollor më 1 shtator.

Në muajt e fundit, Hezbollahu i Libanit ka vënë në shënjestër pozicionet ushtarake të këtij regjimi në veri të territoreve të pushtuara, pas krimeve të tmerrshme të kryera nga regjimi sionist në Rripin e Gazës dhe gjakderdhjes së një numri të madh palestinezësh në këtë rajon, çështje kjo që ka shkaktuar frikën e sionistëve që jetojnë në këto zona.

 

Tags