Korrik 27, 2020 05:10 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 29-32 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Në vazhdim le të dëgjojmë ajetin 29 të sures Zumer:

«ضَرَبَ اللَّـهُ مَثَلًا رَّجُلًا فِیهِ شُرَکَاءُ مُتَشَاکِسُونَ وَرَجُلًا سَلَمًا لِّرَجُلٍ هَلْ یَسْتَوِیَانِ مَثَلًا  الْحَمْدُ لِلَّـهِ  بَلْ أَکْثَرُهُمْ لَا یَعْلَمُونَ»

29. All-llahu solli një shembull: Një njeri (rob) në posedimin e të cilit ishin ortakë pa marrëveshje mes vete dhe njëri (rob) që është thjesht në posedimin e një njeriu. A janë ata të dy të një lloji (të një gjendjeje)? Lavdërimi i takon vetëm All-llahut, por shumica e tyre, nuk e dinë.

Zoti në ajetet e mëparshme ka thënë: Ne në Kuran kemi sjellë shumë shembuj për të paralajmëruar njerëzit. Ky ajet në formë krahasimi qartëson imazhin e  mëkatarëve dhe gjendjen e tyre të rëndomë. Ajeti thotë: Paramendoni një skllav që ka shumë padronë dhe secili prej tyre i jep një urdhër. Njëri thotë: Bëje këtë ndërsa tjetri i thotë mos e bëj atë. Ai i hutuar nuk e di se çfarë të bëjë dhe kë urdhër të zbatojë. Ai nuk u kushton vëmendje asnjërit prej padronëve dhe më pas ndëshkohet nga secili prej tyre dhe privohet nga ushqimi, veshja apo nevojat e tjera për jetë. Nga ana tjetër ajeti përmend edhe një skllav tjetër që ka vetëm një padron dhe nuk bën gjë tjetër veçse sa zbaton urdhrat e tij. Është e qartë se ky skllav nuk hutohet në veprimet e tij dhe gjithmonë mbështetet nga padroni i vet dhe i plotëson natyrshëm nevojat e veta. Hazreti Jusef në burg për të ftuar të burgosurit tek monoteizmi ka përdorur këtë shembull dhe atyre u ka thënë :

«أَ أَرْبابٌ‏ مُتَفَرِّقُونَ خَیْرٌ أَمِ اللَّهُ الْواحِدُ الْقَهَّارُ»

Mos zotat e shumtë dhe të shpërndarë janë më mirë apo një Zot i vetëm?

Po. Situata e mohuesve dhe besimtarëve është e këtillë. Mëkati e bën njeriun të hutuar dhe atij i heq sigurinë dhe qetësinë e brendshme. Mirëpo njerëzit besimtarë janë besnikë dhe zbatojnë vetëm urdhrat e Zotit dhe shpresojnë vetëm tek Ai. Fatkeqësisht shumë njerëz në jetën e tyre nuk bëjnë dallime mes besimit dhe mëkatit dhe janë indiferent në këtë çështje. Ata në vend që të largohen nga elementët mëkatarë dhe t’i bashkohen monoteizmit, çdo ditë përfarohen me dikë ose diçka dhe veten e tyre e kthejnë në robër të tyre duke i lidhur duart dhe këmbët e veta.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Njerëzit besimtarë në punët dhe veprat e tyre mendojnë vetëm për kënaqësinë e Zotit, ndërsa mëkatarët mundohen të thithin pëlqimin e njerëzve të tjerë dhe natyrisht ata nuk ngopen kurrë, pasi preferencat dhe kërkesat e njerëzve janë të ndryshme.
  2. Rezultati i mëkatit dhe i besimit, nuk kufizohet vetëm në ditën e kiametit. Edhe në këtë botë nëse bëjmë një krahasim arrijmë të kuptojmë se njerëzit besimtarë kanë një jetë një më të qetë dhe të mbushur me shpresa ndërsa mëkatarët kanë një jetë të mbushur me shqetësime dhe depresione.

Tani le të dëgjojmë ajetet 30-31 të sures Zumer:

«إِنَّکَ مَیِّتٌ وَإِنَّهُم مَّیِّتُونَ»،

30. Ti do të jesh i vdekur, e edhe ata do të jenë të vdekur.  

«ثُمَّ إِنَّکُمْ یَوْمَ الْقِیَامَةِ عِندَ رَبِّکُمْ تَخْتَصِمُونَ»

31. E pastaj, në ditën e kiametit pranë Zotit tuaj do të grindeni mes vete. 

Fundi i punës së mëkatarëve dhe besimtarëve është vdekja dhe asnjë njeri në këtë tokë nuk ka jetë të përjetshme. Edhe profetët që ishin të zgjedhurit e Zotit, nuk janë të përveçëm. Nëse armiqtë e profetit të islamit, prisnin vdekjen e tij, duhet ta dini se edhe ata do të vdisnin. Ashtu siç thuhet në ajetin 34 të sures Enbija: 34. Ne, asnjë njeri para teje (Muhamed) nuk i dhamë jetë të përhershme, e nëse ti vdes, a mos do të mbesin ata përgjithmonë?   Mirëpo me vdekjen puna e njerëzve nuk përfundon dhe vdekja është porta për në kiamet. Atje mëkatarët dhe besimtarët përballen me njëri-tjetrin dhe diskutojnë për të drejtën dhe të padrejtën në mendimet e tyre. Mesa duket mëkatarët akoma nuk janë të gatshëm të pranojnë se veprimet e tyre janë mëkat dhe mbrojnë sjelljen e tyre. Mirëpo nuk kalon shumë dhe mes tyre gjykon Zoti, i cili përcakton fatin e secilit grup.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Vdekja, është traditë e prerë e Zotit dhe për asnjë njeri nuk bëhen dallime apo të jetë i përveçëm.
  2. Në gjyqin e kiametit, grupe të ndryshme flasin kundër njëri-tjetrit dhe mundohen të akuzojnë të tjerët për të shpëtuar veten e tyre. Mirëpo në atë ditë gjykimi bëhet nga Zoti i gjithëdijshëm i cili në mesin e njerëzve gjykon në formë të drejtë dhe të saktë.

Tani le të dëgjojmë ajetin 32 të sures Zumer:

«فَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّن کَذَبَ عَلَى اللَّـهِ وَکَذَّبَ بِالصِّدْقِ إِذْ جَاءَهُ  أَلَیْسَ فِی جَهَنَّمَ مَثْوًى لِّلْکَافِرِینَ»

32. E kush është më mëkatar se ai që flet të pavërtetën ndaj All-llahut dhe se ai që kur i erdhi e vërteta e përgënjeshtroi? A nuk është në Xhehennem vendqëndrimi për jobesimtarët?  

Ajeti i mëparshëm foli për praninë e të gjithë njerëzve në gjyqin e kiametit. Ky ajet flet për një grup njerëzish të cilëve Zoti u ka dërguar fjalën e drejtë por ata e mohuan dhe nuk ishin të gatshëm ta pranonin. Njerëz pa besim që kanë mohuar Zotin, apo njerëz mëkatarë që për shkak të mendimeve të ndotura Zotit i kanë krijuar epitete të padrejta. Që të dy grupet kanë mohuar fjalën e drejtë dhe atë e kanë quajtur gënjeshtër. Me padyshim veprat e padrejta dhe të këqija të këtyre njerëzve në këtë botë, ata i çon në ferr. Mirëpo në të kundërtën e mohuesve dhe mëkatarëve, ekziston grupi i besimtarëve të cilët kanë pranuar fjalën e drejtë dhe i kanë besuar asaj. Në emisionin e ardhshëm do të njihemi më shumë për këtë grup.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Padrejtësia më e madhe se ajo ekonomike dhe sociale është padrejtësia ndaj mendimit dhe kulturës në shoqëri. Padrejtësia më e qartë në këtë çështje është gënjeshtra rreth Zotit dhe mohimi i fjalës së drejtë.
  2. Këmbëngulja, mburrja dhe radikalizmi, janë faktorë që njeriun e çon të përballet me të drejtën dhe pa analizuar fjalën e drejtë, e mohon atë. 

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

 

Tags