Korrik 27, 2020 05:31 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 46-50 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Tani le të dëgjojmë ajetin 46 të sures Zumer:

«قُلِ اللَّـهُمَّ فَاطِرَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ عَالِمَ الْغَیْبِ وَالشَّهَادَةِ أَنتَ تَحْکُمُ بَیْنَ عِبَادِکَ فِی مَا کَانُوا فِیهِ یَخْتَلِفُونَ»

46. Thuaj: O All-llah, Krijues i qiejve e i tokës, Njohës i të fshehtës edhe i të dukshëm, Ti je që gjykon mes robërve Tu për atë që ata kundërshtoheshin.

Në emisionin e kaluar folëm mbi urrejtjen e mëkatarëve nga këndvështrimi monoteist dhe varësia e tyre tek zotat dhe ndërmjetësit e kësaj bote. Ky ajet i drejtohet të dërguarit të Zotit dhe thotë: Atyre ktheu shpinën dhe drejtohu për nga Zoti Një që është Krijuesi i qiejve dhe tokës dhe që njeh çdo sekret. Është Ai që do të bëjë gjykimin në ditën e kiametit. Në ditën e kiametit urdhri dhe vendimi i Zotit, që njeh çdo sekret, është i prerë. Me vendimin e tij marrin fund mosmarrëveshjet. Në gjyqin e kiametit, të humburit këmbëngulës nuk do të kenë mundësi të mohojnë të vërtetën dhe do të pohojnë që kanë gabuar në rrugën e tyre, mirëpo ky pohim nuk do të ketë asnjë përfitim për ata.

  1. Nga ky ajet mësojmë se: Përkundër atyre që varen tek çdo gjë tjetër dhe jo Zotit që është Krijuesit i gjithësisë, duhet të përqendrohemi dhe përkushtohemi tek Ai.
  2. Ai që ka krijuar qiellin dhe tokën, është i njohur mbi gjithçka çfarë ndodh tek krijesat e Tij, si ato të shfaqura ashtu edhe të fshehura.
  3. Gjykimi i Zotit për njerëzit është i bazuar në dije dhe njohuri, njohuri mbi çdo gjë të fshehur dhe të zbuluar.

Tani le të dëgjojmë ajetet 47-48 të sures Zumer:

«وَلَوْ أَنَّ لِلَّذِینَ ظَلَمُوا مَا فِی الْأَرْضِ جَمِیعًا وَمِثْلَهُ مَعَهُ لَافْتَدَوْا بِهِ مِن سُوءِ الْعَذَابِ یَوْمَ الْقِیَامَةِ  وَبَدَا لَهُم مِّنَ اللَّـهِ مَا لَمْ یَکُونُوا یَحْتَسِبُونَ»

47. E sikur të ishte e atyre që nuk besuan, e tërë ajo çka ka në tokë e edhe njëherë aq, do ta jepnin kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kiametit. E prej All-llahut do t’u prezantohet (lloji i dënimit) çka as nuk kanë mund të mendojnë. 

«وَبَدَا لَهُمْ سَیِّئَاتُ مَا کَسَبُوا وَحَاقَ بِهِم مَّا کَانُوا بِهِ یَسْتَهْزِئُونَ»

48. Dhe do t’ua dalin në shesh të këqijat që i kanë punuar dhe i përfshin ata ajo me të cilën talleshin. 

Në vazhdim të ajetit të mëparshëm që flet mbi gjykimin e Zotit në ditën e kiametit, këto ajete thonë: Të gjithë ata njerëz që në tokë kanë bërë padrejtësi, do të marrin ndëshkimet më të rënda, ndëshkime që do të shfaqen në ditën e kiametit dhe që askush nuk mund t’i imagjinonte më parë. Fjala padrejtësi në kulturën e kuranit përmbledh padrejtësitë në mendim dhe kulturë, si mëkati dhe e keqja, mirëpo ajo përfshin edhe padrejtësinë ndaj të tjerë në familje apo shoqëri. Pra është e qartë se padrejtësia mendore dhe kulturore përbën rrezik dhe dëm edhe më të madh se padrejtësia sociale. Në disa raste padrejtësia sociale mund të jetë e riparueshme mirëpo padrejtësia kulture që çon në devijimin e njerëzve dhe të shoqërisë është katastrofike dhe ripërtëritja dhe përmirësimi i saj është shumë i vështirë. Sigurisht që ndëshkimi i dashakeqëve bëhet sipas drejtësisë së Zotit dhe Zoti edhe ndaj të këqijve nuk bën qoftë edhe padrejtësinë më të vogël. Ajetet në vazhdim thonë: Ky ndëshkim është përmbledhje e të këqijave që ata kanë bërë në tokë dhe sot shfaqet në formën e zjarrit në ferr. Ata në kohën kur ishin në tokë mendonin vetëm të mblidhnin pasuri dhe kapital dhe kujtonin se duke pasur pasuri do të arrinin lumturinë. Prandaj atë talleshin me atë që dëgjonin për kiametin dhe paralajmërimet që merrnin. Ata paralajmërimet e njerëzve të drejtë rreth ditës së kiametit, i konsideronin imagjinata të njerëzve injorantë dhe jo të civilizuar. Mirëpo kur ata përballen me realitetin, e venë re me sytë e tyre se atë që kanë përfituar në këtë botë nuk u hyn aspak në punë.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Pushteti dhe pasuria në këtë botë, nuk hyn aspak në punë në ahiret edhe nëse e gjithë pasuria e botës është në dorë të njerëzve.
  2. Ndëshkimet në ferr, janë pasqyrë e veprimeve të këqija të njerëzve në këtë botë
  3. Dita e kiametit është dita e zbulimit dhe shfaqjes dhe në atë ditë publikohen të gjitha sekretet. Në ditën e kiametit për njeriun bëhet e qartë e vërteta e parajsës dhe e ferrit.
  4. Duhet të bëjmë kujdes që të mos tallemi me etikat, besimet dhe vlerat fetare, që në ditën e kiametit të mos pendohemi dhe të mos na vijë keq për veten.

Tani le të dëgjojmë ajetet 49-50 të sures Zumer;

«فَإِذَا مَسَّ الْإِنسَانَ ضُرٌّ دَعَانَا ثُمَّ إِذَا خَوَّلْنَاهُ نِعْمَةً مِّنَّا قَالَ إِنَّمَا أُوتِیتُهُ عَلَى عِلْمٍ  بَلْ هِیَ فِتْنَةٌ وَلَـکِنَّ أَکْثَرَهُمْ لَا یَعْلَمُونَ»

49. Kur e godit njeriun ndonjë e keqe, ai na lutet Neve, e kur nga ana Jonë ia shndërrojmë atë në ndonjë të mirë, ai thotë: Kjo më është dhënë në bazë të dijes sime! Jo, por ajo është një sprovë, por shumica e tyre nuk e dinë. 

«قَدْ قَالَهَا الَّذِینَ مِن قَبْلِهِمْ فَمَا أَغْنَى عَنْهُم مَّا کَانُوا یَکْسِبُونَ»

50. Ashtu patën thënë edhe ata që ishin para tyre, por atyre nuk u bëri dobi ajo çka kishin fituar. 

Këto ajete përmendin një prej karakteristikave të njerëzve mos falënderues dhe thonë: Shumica e njerëzve vetëm në kohën e vështirësive dhe problemeve, përmendin dhe kujtojnë Zotin dhe i drejtohen Atij. Mirëpo kjo është e përkohshme dhe në kohën kur problemet e tyre zgjidhen, ata e harrojnë Zotin dhe thonë: Ishte dija dhe njohuria ime që zgjidhi problemin tim dhe arrita të përfitoj këto mirësi dhe mundësi. Kurani në përgjigje të këtyre njerëzve mos falënderues thotë: Ajo që juve u është dhënë janë mjete testuese për të vërtetuar se në veprim jeni falënderues të Zotit apo jeni mos falënderues dhe mohues të mirësive të Tij. Ajetet e kuranit në vazhdim thonë se mënyra e përballjes me mirësitë dhe begatitë hyjnore, ka histori të gjerë dhe ata njerëz që kanë arritur pasuri, pushteti, pozitë dhe fuqi, kanë harruar Zotin dhe kanë kujtuar se atë çka ata përfituan mund t’u hyjë në punë si në këtë botë ashtu edhe në ahiret. Mirëpo ajo çka ata përfituan, as në këtë botë dhe as në ahiret nuk mund të pengojë zbatimin e vullnetit dhe dëshirës hyjnore mbi ata dhe nuk mund t’i shpëtojë ata nga ndëshkimi për veprimet e tyre të këqija.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Gjatë presioneve, aksidenteve dhe vështirësive të jetës, njeriu arrin të kuptojë dobësitë e tij. Këto presione, bëhen shkak për zgjimin e njerëzve dhe ringjalljen e ndjenjës për të kërkuar Zotin, ku më pas njeriu e thërret Zotin dhe kthehet drejt Tij.
  2. Mirëqenia dhe rehatia e njerëzve, mund të bëhet shkak për neglizhencën e tyre kundrejt Zotit dhe pëlqimin e vetvetes.
  3. Vështirësitë dhe begatitë që të dyja janë mjete testime për njerëzit që ata të tregojnë vërtetësinë e tyre dhe të bëhet e qartë se kush janë falënderues dhe kush nuk janë.

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

 

Tags