Korrik 27, 2020 05:35 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 51-53 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Tani le të dëgjojmë ajetin 51 të sures Zumer:

«فَأَصَابَهُمْ سَیِّئَاتُ مَا کَسَبُوا وَالَّذِینَ ظَلَمُوا مِنْ هَـؤُلَاءِ سَیُصِیبُهُمْ سَیِّئَاتُ مَا کَسَبُوا وَمَا هُم بِمُعْجِزِینَ»

51. Ata i goditën të këqijat që i kishin punuar. Edhe prej këtyre, ata që bënë zullum, do t’i godasin të këqijat e veprave të tyre dhe nuk mund t’i shpëtojnë asaj (goditjeje). 

Në emisionin e kaluar folëm mbi njerëzit mos falënderues të cilët në kohë të vështira i janë drejtuar Zotit, mirëpo në kohë mirëqenieje dhe plot begati, kanë harruar Zotin dhe begatitë e Tij nuk i kanë konsideruar të dhuruara nga Zoti. Ky ajet thotë: Vështirësitë dhe problemet që ata hasën kishin qenë si rezultat i punës së tyre, ashtu si rezultati në të ardhmen, do të jetë fryt i tiranisë që ata bënë dje dhe sot. Sigurisht, rezultati përfundimtar dhe i fundit i veprimeve të tyre do të jetë dita e kiametit dhe ata nuk duhet të imagjinojnë se në botën tjetër do të mund t'u shpëtojnë pasojave ndëshkuese të veprave të tyre në këtë botë.

Nga ky ajet mësojmë se;

  1. Ashtu si në sistemin material të natyrës, mbizotëron ligji i veprimit dhe ndërveprimit, po kështu vepron edhe tradita hyjnore mbi njeriun.  Pra, çdo veprim ka reagimin e vet të duhur, të cilin herët a vonë qenia njerëzore do ta hasë.
  2. Begatitë janë nga ana Zotit, por vështirësitë dhe ndëshkimet janë rezultat i vendimeve dhe veprimeve tona të gabuara.

Tani le të dëgjojmë ajetin 52 të sures Zumer:

«أَوَلَمْ یَعْلَمُوا أَنَّ اللَّـهَ یَبْسُطُ الرِّزْقَ لِمَن یَشَاءُ وَیَقْدِرُ إِنَّ فِی ذَلِکَ لَآیَاتٍ لِّقَوْمٍ یُؤْمِنُونَ»

52. A nuk e dinë ata, se All-llahu i jep furnizim të plotë atij që do. Edhe në këto ekzistojnë fakte për një popull që beson. 

Në disa ajete të mëparshme është thënë se disa i atribuojnë begatitë dijes së tyre. Ky ajet e kundërshton këtë këndvështrim të rremë dhe thotë: Parimi i begatisë është në dorën e Zotit, kështu që askush pa Zotin nuk mund të përfitojë begati edhe nëse ka njohuri. Sigurisht, njeriu ka përgjegjësi që të përvetësojë shkencë dhe njohuri dhe të përpiqet në punët e jetës dhe Zoti nuk i do injorantët ose joaktivët. Në të njëjtën kohë, njeriu nuk duhet të supozojë se gjithçka i dedikohet vullnetit ose përpjekjes së tij.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Detyra jonë është të përpiqemi dhe të fitojmë begati, por vlera e begatisë për të gjithë varet nga mençuria hyjnore.
  2. Drejtësia hyjnore nuk nënkupton barazinë e të gjithë njerëzve në përfitimin e begatisë, por Zoti e përcakton begatinë e secilit në bazë të vetive të ndryshme dhe sipas faktorëve të ndryshëm që ai ka futur në sistemin e ekzistencës. Sigurisht, Ai sipas masës së begatisë që që ka dhënë u kërkon shpjegime dhe arsyetime të gjithëve.

Tani le të dëgjojmë ajetin 53:

«قُلْ یَا عِبَادِیَ الَّذِینَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّـهِ  إِنَّ اللَّـهَ یَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِیعًا  إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِیمُ»

53. Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!

Ky ajet është një nga ajetet hyjnore më premtuese dhe shpresëdhënëse. Në këtë ajet Zoti, me një ton plot dashuri dhe dashamirësi maksimale, ka hapur krahët e tij të mëshirës për të gjithë dhe ka lëshuar një dekret faljeje. Ky ajet u drejtohet të gjithë mëkatarëve dhe atyre që kanë bërë padrejtësi ndaj vetes dhe kanë kaluar jetën dhe kohën e tyre në mënyra të kota dhe të mbrapshta dhe thotë: Rruga për t'u kthyer është gjithmonë e hapur dhe mëshira hyjnore është e tillë që askush nuk duhet të dëshpërohet nga mëshira e tij dhe të mendojë se Zoti nuk do ta falë. Po, dyert e lumturisë dhe mëshirës janë të hapura për të gjithë njerëzit. Është e rëndësishme që njeriu të vetëdijesohet dhe të kuptojë se ka gabuar.  Kur tek një njeriu lind pendimi i vërtetë dhe ai vendos të heqë dorë nga gabimet dhe të kthehet në rrugën e drejtë, sigurohet terreni për falje dhe mëshirë hyjnore dhe Zoti atë do ta falë. Kjo është një mëshirë nga Zoti që Ai i thërret njerëzit mëkatarë si krijesa të Tij, ashtu si një baba që është i pikëlluar nga veprimet e fëmijës së tij, por që ta inkurajojë atë të heqë dorë nga gjërat e shëmtuara thotë: Në fund të fundit, ti je fëmija im dhe unë të fal. Mundohu që tani e tutje të mos i përsërisësh këto gabime. Në fakt në këtë ajet shprehja "ju i keni bërë padrejtësi vetvetes" tregon se, “ o njeri, sjellja juaj e neveritshme nuk dëmton askënd, por vetëm veten tuaj, prandaj mos e shtypni veten dhe mendoni për veten tuaj”.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Mëshira hyjnore nuk është e kufizuar. Përkundrazi, ajo përfshin të gjithë krijesat e Zotit dhe nuk është i rezervuar vetëm për besimtarët.
  2. Falja e mëkateve është një vullnet i mëshirës hyjnore. Prandaj, humbja e shpresës ndaj mëshirës së Zotit nuk lejohet dhe mëkatarët nuk duhet të humbasin kurrë shpresën për mëshirën e Zotit.
  3. Mëkati është një formë e vetë-shtypjes dhe largimit nga rruga e drejtë.
  4. Ai që nuk u bindet urdhërimeve hyjnore me anë të mëkatit, në të vërtetë dëmton veten e tij dhe jo Zotin!

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

 

Tags