May 25, 2024 20:47 Europe/Tirane
  • Orban: Nuk duam të jemi pjesë e operacioneve të NATO-s në ndihmë të Ukrainës

Hungaria do të kërkojë të mos marrë pjesë në operacionet e NATO-s që synojnë të mbështesin Ukrainën, tha kryeministri Viktor Orban, duke sugjeruar se aleanca ushtarake dhe Bashkimi Evropian po shkojnë drejt një konflikti më të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Orban i tha radios shtetërore se Hungaria është kundër një plani që po shqyrtohet nga NATO për t’i ofruar mbështetje më të qëndrueshme ushtarake Ukrainës në vitet në vazhdim, për t’iu kundërvënë sulmit frontal nga Moska, ndërsa forcat më të mirëpajisura ruse po përpiqen të dominojnë në fushëbetejë.

“Nuk e miratojmë këtë dhe as nuk duam të jemi pjesë e mbështetjes financiare apo me armatime për Ukrainën, qoftë edhe në kuadrin e NATO-s”, tha Orban, duke shtuar se Hungaria është pozicionuar si “jopjesëmarrëse” në operacionet e ardhshme të NATO-s për të ndihmuar Kievin.

Kryeministri Orban, i konsideruar partneri më i afërt në BE i presidentit rus Vladimir Putin, theksoi rolin e NATO-s si një organizatë mbrojtëse dhe tha se nuk ndan të njëjtat shqetësime si ato të disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore se ushtria ruse nuk do ta ndalte agresionin e saj edhe nëse do ta fitonte luftën në Ukrainë.

Hungaria ka refuzuar ta ndihmojë Ukrainën me ndihma ushtarake në dallim nga shumica e vendeve të tjera të BE-së dhe Viktor Orban ka kundërshtuar me forcë sanksionet e BE-së ndaj Moskës, megjithëse në përfundim ka votuar gjithnjë pro miratimit të tyre.

 

Tags