Qershor 13, 2024 10:29 Europe/Tirane
  • Udhëheqësit e vendeve të G7-s ranë dakord të japin 50 miliardë dollarë ndihmë për Kievin

Një zyrtar i qeverisë franceze njoftoi se pas presionit intensiv nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, udhëheqësit e vendeve të G7-s ranë dakord të mërkurën për të ofruar 50 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën deri në fund të këtij viti (2024) prej përfitimeve nga investimi i aseteve të bllokuara nga Rusia në Evropë.

Sipas raportit të gazetës Telegraf, ky zyrtar francez ka theksuar në prag të takimit të liderëve të grupit të vendeve G7 që do të mbahet në Itali sot (e enjte): "Drejtuesit e këtij grupi kanë arritur marrëveshje me njëri-tjetrin për dërgimin e kësaj ndihme financiare prej 50 miliardë dollarësh."

Sipas gazetës Telegraf, marrëveshja për këtë ndihmë financiare është arritur pasi Ukraina jo vetëm që nuk ka korrur arritje të reja në fushën e betejës me Rusinë këtë pranverë, por edhe më shumë territore nga ky vend janë marrë nën kontroll nga forcat ruse.

Nga ana tjetër, në mes të shqetësimeve për ndikimin që mund të ketë mandati i dytë i mundshëm presidencial i Donald Trumpit në vazhdimin e ndihmës financiare të Uashingtonit për Kievin, marrëveshja për këtë ndihmë financiare prej 50 miliardë dollarësh mund t'i hapë një rrugë të re vazhdimësisë së ndihmës perëndimore për Ukrainën.

Më herët (të martën e 21 majit), edhe qeveria belge njoftoi se vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar një plan për të përdorur asetet e ngrira të Rusisë në shtetet anëtare të këtij unioni për të fuqizuar forcat ushtarake të Ukrainës.

Në vitin 2022, shtetet anëtare të G7-s ngrinë rreth 300 miliardë dollarë nga asetet ruse. Që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, vendet perëndimore kanë konfiskuar më shumë se 330 miliardë dollarë nga asetet e Bankës Qendrore të Rusisë jashtë vendit, nga të cilat më shumë se 204 miliardë dollarë ndodhen në Belgjikë.

 

Tags